Ylli i Hollivudit Arnold Schwarzenegger vizitoi vendin e ish-kampit gjerman të vdekjes Aushvic , duke u zotuar të luftojë kundër urrejtjes dhe diskriminimit me premtimin se do të kthehej sërish.

Schwarzenegger me origjinë austriake, 75 vjeç, është djali i një anëtari të partisë naziste që shërbeu në ushtrinë gjermane në Luftën e Dytë Botërore.

Ish-guvernatori i Kalifornisë përdori një konferencë shtypi së bashku me kryetarin e Fondacionit të Qendrës Hebraike të Aushvicit, Simon Bergson, djalin e të mbijetuarve të Holokaustit, për të nënvizuar sesi paragjykimet mund të fshihen në hapësirën e një brezi.

Schwarzenegger hyri në kamp nga porta kryesore e cila mban frazën “Arbeit macht frei”, ose “Puna të bën të lirë”. Më pas ai vizitoi ekspozitën e muzeut Memorial të Aushvicit dhe një krematorium.

Schwarzenegger  vendosi qirinj në “Murin e Vdekjes”, ku ushtarët gjermanë qëlluan shumë të burgosur dhe në një monument për viktimat e kampit.

Klan News