Në Serbi kanë nisur bisedimet për formimin e një qeverie të re. Për studentët dorëheqja e Kryeministrit Milos Vuçeviç ishte provë e qartë e presionit popullor.

Pak orë pas pasi Kryeministri Milos Vuçeviç dha dorëheqjen pas protestave, koalicioni qeverisës i Serbisë filloi bisedimet për të formuar një qeveri të re.

Vuçeviç u bë zyrtari i rangut më të lartë që dha dorëheqjen pas tragjedisë në qytetin e Novi Sadit në nëntor ku humbën jetën 15 njerëz.

Protestat kanë tronditur Presidentin Aleksandër Vuçiçin, i cili ka mbajtur pushtetin që kur u bë kryeministër në 2014 dhe president në 2017.

Tragjedia e Novi Sadit ka bërë që të shtohen akuzat se Vuçiç dhe Partia e tij Progresive Serbe janë të korruptuar dhe mbajnë lidhje me krimin e organizuar. Sipas Bojan Klacar, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci protestat e vazhdueshme në Serbi përfaqësojnë më shumë sesa thjesht tensione.

“Çështja me këto protesta shtrihet përtej pranisë së tensioneve të rëndësishme dhe incidenteve të shumta. Çështja me rrethanat aktuale në Serbi është mungesa e një zgjidhjeje të dallueshme. Askush nuk komunikon asnjë zgjidhje. Qeveria nuk i ka referuar zgjedhjet si zgjidhje të krizës për një kohë të gjatë. Për më tepër, është joreale të parashikohet që studentët që shfaqin një energji të tillë në rrugë do të kënaqen me përmbushjen e katër kërkesave të tyre. Më duket, dhe kjo është përgjigja e kësaj pyetjeje, se kjo që po ndodh tani është një luftë afatgjatë e të dy palëve, një lojë afatgjatë nervash në të cilën njëra nga të dy palët duhet të dalë si fitues.”, tha Bojan Klacar.

Presidenti Vuçiç ka 30 ditë për të propozuar një kryeministër të ri ose do të ketë zgjedhje të reja. Të martën ai tha se do të merrte një vendim brenda rreth 10 ditësh.

Rrugët e Beogradit ishin të qeta këtë të mërkurë , por studentët thonë se do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. .

Ata thonë se vendimi i Vuçeviç mund të shihet si një provë e presionit popullor.

“Dorëheqja e kryeministrit nuk ka qenë asnjëherë një nga kërkesat tona. Kërkesat tona i drejtohen në mënyrë rigoroze, direkte dhe thjesht Prokurorisë. Kjo kërkesë nuk është adresuar asnjëherë as nga kreu i shtetit dhe as nga qeveria. Protestat që po ndodhin po tregojnë ndikimin social që mund të kenë protestat civile. E thënë thjesht, tani njerëzit po zgjohen. Nuk janë më vetëm studentët që po shfaqin pakënaqësinë e tyre, por edhe grupe të tjera të ndryshme shoqërore, të rinj e të vjetër dhe nxënës të shkollës.”, tha Tijana Knezeviç.

Partitë opozitare kanë hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe thonë se një qeveri e përkohshme do të ishte një zgjidhje më e mirë.

Klan News