Sfida e “Supermanit” ku fëmijët përpiqen të imitojnë aftësitë supernjerëzore, shpesh duke kërcyer nga vende të larta apo duke marrë rreziqe të panevojshme, ka sjellë pasoja të rënda në disa raste, përfshirë lëndime serioze si thyerje të krahëve dhe gjymtyrëve të fëmijëve në Shqipëri.
Psikologia Arjola Manreku thotë se duhet një komunikim sa më i thjeshtë me fëmijët.
Arjola Manreka, psikologe: Prindërit së pari duhet të vënë ato filtrat për kontrollin prindëror brenda telefonit sepse vetë mjetet teknologjike kanë kontroll prindëror dhe video apo sfida që janë të rrezikshme ja bllokojnë aksesin fëmijës në momentin që prindi është vigjilent. Nëse flasim për grupmosha 10, 11, 12 vjeç komunikimi duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe real, pra ne nuk kemi aftësi të mbinatyrshme, nuk jemi dot as “Superman” dhe në këtë formë fëmija fillon dhe ndërgjegjësohet. Nëse ne mund të rrëzohemi nga një karrige dhe vritemi ne nuk kemi aftësi të mbinatyrshme.
Sipas psikologes veç prindërve edhe shërbimi psikosocial në shkolla duhet të zhvillojë komunikim për këto sfida të rrezikshme, sepse ndonjëherë fëmijët nuk i kuptojnë pasojat.
Arjola Manreka, psikologe: Në shkollë psikologët duhet të bëjnë seanca ndërgjegjësimi pse janë të rrezikshme këto lojëra dhe pse krijohen dhe çfarë i shtyn këto fëmijë që të bëhen pjesë të këtyre sfidave që të dëmtojnë veten apo shokun.
Arsyet që fëmijët bëhen pjesë e këtyre sfidave është kureshtja dhe mungesa e vetëdijes, pasi fëmijët shpesh nuk e kuptojnë rrezikun e këtyre akteve, por ndodh edhe për presion shoqëror të ndikuar nga grupet shoqërore.
Disa shkolla të kryeqytetit u kanë shpërndarë njoftime prindërve që të jenë më të kujdeshëm ndaj fëmijëve në lidhje me këtë sfidë shqetësuese.
Klan News