Donald Trump bën realitet kërcënimin e tij: Duke nisur nga 1 qershori BE-ja nuk përjashtohet më nga tarifat doganore për çelikun dhe aluminin.
Asnjë “cicërimë” në Twitter apo deklaratë personale – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ia la kësaj here ministrit të tij të Tregtisë Wilbur Ross tribunën dhe ky njoftoi vendimin: Duke nisur nga kjo e premte importet e çelikut nga BE-ja, por edhe nga Kanadaja dhe Meksika do të taksohen me dogana në masën 25 për qind, për importet e aluminit taksa do të jetë dhjetë për qind. Përjashtimi nga ky rregull për taksat doganore të vendosura në mars, i cili vlente deri tani për këto tri vende, shfuqizohet më 1 qershor 2018.
Evropianët nuk i habit ky vendim. Ata u përpoqën deri në fund ta zbusnin konfliktin tregtar me Shtetet e Bashkuara, por kjo dështoi, sepse të dyja palët ngulnin këmbë tek pozicionet e tyre. Ndërsa SHBA favorizojnë marrëveshjet dypalëshe, BE-ja nuk dëshiron të ndahet dhe insiston tek respektimi i rregullave të OBT-së.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë parimet e tregtisë së lirë dhe marrëveshjet e ndërsjella, tha ministri federal i Ekonomisë Peter Altmaier në takimin ministror të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris. “Javët e fundit, ne kemi punuar shumë intensivisht, me shumë solidaritet dhe shumë të vendosur në nivel evropian” – tha Altmaier dhe kështu duhet të vazhdojmë.
Pasoja të shumëllojshme
BE-ja do të ankohet pranë OBT-së dhe do të marrë masa mbrojtëse për ekonominë evropiane si dhe do të vendosë taksa doganore për mallrat që importohen nga SHBA-ja. Ndër mallrat për të cilat do të vendosen taksa doganore janë uiski (whiskey) motorët e markës Harley-Davidson dhe prodhimet e xhinsit, të cilat prodhohen në shtetet amerikane ku janë në fuqi republikanët. Komisioni Evropian thotë se masat që po merr BE-ja kanë pra sfond politik dhe nuk janë taksa doganore ndëshkuese.
Donald Trumpi ka kërcënuar se do të ngrejë edhe taksat doganore për automjetet nga Evropa. Në një rast të tillë më e prekur do të ishte ekonomia gjermane.
Në rrezik mjaft vende pune
Shumë koncerne gjermane të automobilëve prodhojnë në SHBA. Madje në SHBA prodhohen shumë më tepër automjete gjermane, se sa dërgohen nga Gjermania për t’u shitur në SHBA. Në këtë mënyrë sipërmarrjet gjermane sigurojnë vende pune në SHBA.
Por për shkak se koncernet gjermane të automobilëve në SHBA i importojnë shumë pjesë për prodhimin e automjeteve nga Evropa, ka rrezik që për shkak të taksave më të larta doganore, ata t’i mbyllin fabrikat në SHBA. Po ashtu shtrenjtimi i automjeteve gjermane do të kërcënonte edhe aftësinë konkurruese të koncerneve amerikane të automobilëve dhe kjo do të shkaktonte në fund të fundit humbje për të gjithë.
/Deutsche Welle