Për herë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë përgjegjëse Rusinë për rrëzimin e avionit me 67 pasagjerë në bord në Kazakistan.

Zëdhënësi për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby tha se ka “indikacione” se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore mund të kenë rrëzuar aeroplanin azerbajxhanas duke shkaktuar 38 viktima.

Vlerësimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pas deklaratave të bëra nga disa zyrtarë të Azerbajxhanit dhe ekspertë të aviacionit, të cilët gjithashtu thanë se rrëzimi u shkaktua nga një ndërhyrje e jashtme.

Kirby tha se qëndrimin e tij e kishte mbështetur edhe në informacione të marra nga shërbimet e inteligjencës, por nuk dha më tepër detaje duke u shprehur se hetimet janë ende në vazhdim.

Zyrtarë të Azerbajxhanit deklaruan se avioni mund të jetë goditur me një raketë ruse tokë-ajër kur po fluturonte mbi hapësirën e Çeçenisë.

Në ato momente mbrojtja ajrore ruse po përballej me sulm me dronë nga Ukraina. Edhe disa nga 29 pasagjerët e mbijetuar thanë se dëgjuan fillimisht një zhurmë të fortë jashtë avionit.

Pilotët kërkuan të bënin një ulje emergjente në aeroportet ruse, por nuk u lejuan.

Përpjekja e fundit ishte ulja në qytetin Aktau në Kazakistanin jugperëndimor, por nuk ia dolën.

Tv Klan