Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë indikacione se Rusia mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit të “Azerbaijan Airlines”, ku humbën jetën 38 persona.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka deklaruar se SHBA-ja kishte ofruar ndihmë për hetimin e rrëzimit. Mendohet se avioni është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, teksa u përpoq të ulej në Çeçeni, përpara se të devijohej përtej Detit Kaspik në Kazakistan, ku u rrëzua.
Kremlini ka refuzuar të komentojë, por kreu i agjencisë së Aviacionit Civil të Rusisë tha se situata në Çeçeni ishte “shumë e ndërlikuar”. Kirby gjithashtu ka bërë të ditur se indikacionet që SHBA-të kishin parë shkonin përtej fotove të avionit të dëmtuar që qarkullojnë gjerësisht në mediat ndërkombëtare, raporton Washington Post.
Ekspertët e aviacionit dhe të tjerë në Azerbajxhan besojnë se sistemet GPS të mjetit u prekën nga bllokimi elektronik dhe më pas u dëmtuan nga copëzat e raketave ruse.
Azerbajxhani nuk ka ngritur akuza ndaj Rusisë, por Ministri i Transportit i vendit ka deklaruar se avioni ishte subjekt i ndërhyrjes së jashtme dhe u dëmtua brenda dhe jashtë, ndërsa u përpoq të ulej.
Ndërkaq, hetuesit tani do të shqyrtojnë çfarë rakete është përdorur, ndërsa edhe autoritetet kazake i janë bashkuar hetimit.
“Azerbaijan Airlines” ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt qyteteve ruse të premten. Rusia ka bërë thirrje se është e rëndësishme të pritet që hetimi zyrtar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Klan News