Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë zotuar se do t’i japin qindra miliona dollarë Armenisë, teksa Jerevani po shikon kah Perëndimi pas prishjes së raporteve me aleaten e tij tradicionale, Rusinë.
Pas bisedimeve mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinian, në Bruksel më 5 prill, shefja e KE-së tha se BE-ja do të ndalë 270 milionë euro për Armeninë për katër vjetët e ardhshëm.
“Ne do të bëjmë investime për të forcuar ekonominë dhe shoqërinë e Armenisë, duke i bërë ato më të qëndrueshme”, tha ajo.
Blinken tha se SHBA-ja dhe BE-ja “riafirmuan mbështetjen transatlantike për një të ardhme demokratike dhe prosperuese për popullin armen dhe që Kaukazi Jugor të integrohet më shumë në mënyrë paqësore”.
“Ne jemi të përkushtuar që të rrisim edhe më tej mbështetjen tonë për Armeninë demokratike dhe për qëndrueshmërinë ekonomike përmes investimeve në sigurinë ushqimore, infrastrukturën digjitale, diversifikimin e energjisë dhe diversifikimin e partnerëve tregtarë”, tha Blinken, duke shtuar se Uashingtoni planifikon t’i japë Armenisë “mbi 65 milionë dollarë ndihmë”.
Takimi trepalësh u mbajt në kohën kur ish-republika sovjetike në Kaukaz ka distancuar veten nga Rusia.
Muajin e kaluar, Nikol Pashinian, gjatë një interviste për televizionin France 24 tha se shteti i tij ka ngrirë anëtarësimin në Organizatën e Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), që udhëhiqet nga Rusia.
Qeveria e Pashinianit ka akuzuar CSTO-në për “dështim që të përgjigjet ndaj sfidave të sigurisë” me të cilat përballet Armenia.
Autoritetet armene kanë akuzuar paqeruajtësit rusë që janë të dislokuar në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut më 2020 për dështim që të ndalnin ofensivën e kryer nga Azerbajxhani, që përfundoi me marrjen e kontrollit të këtij rajoni nga Bakuja pasi për tri dekada ishte nën kontrollin e armenëve etnikë.
Moska ka hedhur poshtë akuzat, duke argumentuar se paqeruajtësit nuk kishin mandat që të intervenonin. /REL