Shtetet e Bashkuara thonë se kanë të dhëna që Irani po përgatitet që së shpejti të nisë një sulm me raketa balistike kundër Izraelit. Lajmin e dha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë të martën.

“Një sulm i drejtpërdrejtë nga Irani kundër Izraelit do të këtë pasoja të mëdha për vetë Iranin”, i tha ai gazetarëve duke shtuar se SHBA-ja është duke mbështetur përgatitjet për mbrojtje.

Ndërkohë BBC shkruan se zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë kërcënim nga ajri, por gjithsesi mbrojtja e tyre është gati për çdo rast.

Në lidhje me këtë lajm nuk ka pasur reagim nga Irani, por duhet të kujtojmë se lideri suprem i tij, premtoi të shtunën se vrasja e Hassan Nasrallahut, kreut të Hezbollahut, nuk do të kalojë pa hakmarrje.

Paralajmërimet për një sulm të afërt nga Irani vijnë disa orë pasi trupat izraelite nisën një sulm tokësor në Libanin Jugor. Ushtria thotë se po kryejnë bastisje ndaj Hezbollahut në disa fshatra që paraqesin rrezik për veriun e Izraelit.

Izraeli thotë se do të sigurojë rikthimin e sigurt të banorëve në zonat kufitare që janë zhvendosur si pasojë e sulmeve të Hezbollahut. Sidoqoftë ka frikë se përshkallëzimi i konflikteve rrezikon një luftë rajonale që tërheq në të edhe SHBA-në dhe Iranin.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një video mesazh iu drejtua qytetarëve të tij duke u thënë se vendi është në një fushatë kundër “aksit të djallit të Iranit”.

“Së bashku do të qëndrojmë të palëkundur në ditët e vështira që na presin. Së bashku do të qëndrojmë të fortë. Së bashku do të luftojmë dhe do të fitojmë”, tha ai.

Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se SHBA-ja po i ndjek me kujdes të gjitha ngjarjet në Lindjen e Mesme.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbrojtjen e Izraelit. Po i shikojmë të gjitha zhvillimet, siç thashë, me shumë kujdes në këtë moment”, u shpreh ai.

Ushtria amerikane tha se po dërgon tre skuadrone avionësh luftarakë F-16, F15E dhe A-10. Gjatë fundjavës Pentagoni tha se po merr masa të tjera për të përmirësuar më tej pozicionin e mbrojtjes së forcave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ndërkohë zyrtarët amerikanë thanë për CBS News se çdo sulm nga Irani mund të jetë i madh si ai që ndodhi më 13 Prill.

Atëherë Irani lëshoi më shumë se 300 raketa dhe dronë si kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës në konsullatën iraniane në Siri që vrau disa komandantë të lartë të saj.

Amerikanët thonë se Irani po bëhet gati të sulmojë që prej fundit të Gushtit kur kërcënoi për një sulm që prej vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran. Izraeli nuk ka konfirmuar e as mohuar që e ka vrarë atë.

Irani ka ndërtuar një rrjet aleatësh me grupe të armatosura në Lindjen e Mesme të cilat kundërshtojnë SHBA-në dhe Izraelin e që i referohen vetes si “Aksi i Rezistencës”.

Aty përfshihen Hezbollahu, Hamasi në territoret palestineze, Huthit në Jemen dhe disa milici shia në Irak e Siri./tvklan.al