Ambasada e SHBA-së në Tiranë vijon të mbështesë reformat e sistemit të menaxhimit të burgjeve.

Së fundmi, drejtori i Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës, Ben Rockwell, i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili në fillim të kësaj jave kompjutera portativë dhe projektorë për Qendrën e re të Trajnimit për Oficerët Korrektues.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thotë se menaxhimi modern i burgjeve kërkon përgatitje të specializuar profesionale për zyrtarët e sigurisë së burgjeve.

“Reformat në vazhdim janë krijuar për të balancuar sigurinë me kërkesat humanitare dhe rehabilituese për t’i përgatitur të burgosurit për riintegrimin në shoqëri pas lirimit të tyre. Reformat duhet të trajtojnë gjithashtu edhe korrupsionin që u mundëson rrjeteve kriminale të vazhdojnë të funksionojnë jashtë burgjeve. Kjo është një sfidë për të gjitha sistemet e burgjeve, dhe një sfidë e veçantë në Shqipëri”.

Njoftimi i ambasadës mbyllet duke thënë se ndihma e SHBA-së është një investim në përpjekjet e partnerëve të saj dhe i tillë që i bën të dyja vendet më të sigurta.

“Ne mirëpresim të shohim rezultatet”, thuhet në njoftimin e ambasadës./tvklan.al