Shtete e Bashkuara të Amerikës po përgatisin paketën ndihmesë për Ukrainën. Sipas dy zyrtarëve amerikanë, shkruan “Reuters” paketa do jetë me vlerën 1 miliardë dollarë. Kjo do të jetë paketa e parë ndihmëse që rrjedh nga projektligji i cili nuk është nënshkruar akoma dhe që është hartuar për t’iu ardhur në ndihmë vendeve që janë në luftë, përkatësisht Ukrainës dhe Izraelit.

Paketa e ndihmës përfshin automjete, municione të mbrojtjes ajrore Stinger, municione shtesë për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione artilerie 155 milimetrash, municione antitank TOW dhe Javelin dhe armë të tjera.

Administrata e Presidentit Joe Biden i kishte kërkuar Kongresit Amerikan që të jepte 60.8 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, por nisma ngeci kur republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan ta çonin masën përpara për muaj të tërë.

Gjithashtu ditën e sotme ishte parashikuar që Senati të votonte për 4 projektligje të miratuara tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve. Njëri prej projektligjeve të shtruara për votim ishte paketa e ndihmës për Ukrainën, projektligji i dytë ka të bëjë me paketën e ndihmës që është përcaktuar për Izraelin me vlerën prej  26 miliardë dollarësh, i treti ishte fondi prej 8.12 miliardë dollarësh, dhe i katërti përfshin një ndalim të mundshëm të aplikacionit të mediave sociale TikTok./tvklan.al