Pas përpjekjeve këtë javë për të çuar përpara negociatat për armëpushim në Gaza, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken takoi të premten në Londër udhëheqësit e vendeve arabe dhe u bëri thirrje për një zgjidhje të shpejtë diplomatike që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

“Është shumë e rëndësishme që të shkojmë drejt një zgjidhjeje diplomatike, të sigurojmë përkrahjen e duhur për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701. Dhe sa më shpejt që e bëjmë një gjë të tillë, aq më shpejt do të arrijmë tek një zgjidhje.”

Gjatë takimit dypalësh, Ministri i jashtëm i Jordanisë Ayman Safadi i tha Sekretarit Blinken se Izraeli po zhvillon një fushatë spastrimi etnik në pjesën veriore të Gazës.

Javët e fundit, ushtria izraelite ka intensifikuar fushatën ushtarake dhe ka vendosur nën shtetrrethim disa pjesë në veri të Gazës, përfshirë spitalet e vendstrehimet e refugjatëve dhe ka urdhëruar banorët e kësaj pjese të zhvendosen drejt pjesës jugore të këtij territori.

Diskutimet në Londër po mbahen ndërkohë që komandanti i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi deklaroi të enjten se shpresonte që lufta e Izraelit ndaj Hezbollahut të përfundojë së shpejti.

Ndërkohë, zyrtarët egjiptianë të sigurisë takuan një delegacion të Hamasit në Kajro në kuadër të përpjekjeve për t’i rinisur negociatat, sipas njoftimeve të mediave egjiptiane.

Klan News