OKB thotë se më shumë se 90 mijë persona janë larguar nga Libani që nga e hëna, ndërsa ushtria izraelite ka nisur një valë të re sulmesh të gjera në Libanin jugor dhe në zonën Beqaa.
Një përditësim nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë gjithashtu se që nga e hëna, rreth 600 njerëz janë vrarë, duke përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra.
Teksa citon ministrinë libaneze të shëndetësisë, zyra thotë se rreth 1 mijë e 700 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve në të gjithë Libanin.
Izraeli deklaron se ka si synim që të heqë kërcënimin nga Hezbollahu dhe të kthejë banorët e zhvendosur në Izraelin verior. Nga ana tjetër, Hezbollahu thotë se po i reziston agresionit izraelit dhe po vepron në solidaritet me palestinezët në Gaza.
Që nga 8 Tetori, ka pasur zjarre ndërkufitare pothuajse çdo ditë midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe 60,000 njerëz janë zhvendosur nga Izraeli verior.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar ju ka bërë thirrje shtetasve britanikë në Liban që të “largohen menjëherë”. Vende të tjera, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Francën dhe Japoninë po u bëjnë thirrje gjithashtu qytetarëve të tyre të largohen./tvklan.al