Të paktën 38 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj strukturave të shumta të banimit në Khan Younis.

Në mesin e viktimave janë 14 fëmijë që u mbytën si pasojë e tymit nga raketat. Prej tyre, 13 ishin nga e njëjta familje.

Shkatërrimi ka qenë i madh në Khan Younis dhe dëshmitarët konfirmojnë se këtyre zonave nuk u ishte dhënë asnjë paralajmërim përpara se të goditeshin.

Masakra e re në Gaza vjen pas sulmeve të përgjakshme të natës. 150 viktima dhe qindra te plagosur përllogaritet të jetë bilanci i një sulmi në kampin e refugjatëve të Xhabalias në Gaza.

Kjo mendohet të jetë një prej netëve më të përgjakshme të sulmeve që prej nisjes së luftës, 7 Tetorin e vitit të kaluar.

Ndërsa në Liban, 3 gazetarë u vranë në qytetin jugor Hasbaija. Zyrtarët libanezë thanë se ata u vranë në një sulm izraelit dhe akuzuan Izraelin se në këtë rast ka kryer “krim lufte”.

Lufta në Rripin e Gazës por edhe ajo në Liban pritet të jenë në qendër të diskutimeve mes krerëve të Mosadit, Cias, atij të Egjiptit dhe ministrit të jashtëm të Katarit, në një takim që parashikohet të mbahet të Dielën në Doha.

Klan News