Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën duke përfshirë një fëmijë dhe rreth 50 janë plagosur pasi një pjesë e një skene është shembur gjatë një tubimi zgjedhor në shtetin verior të Nuevo Leon të Meksikës. Videot në mediat sociale treguan njerëz të frikësuar që largohen me shpejtësi.
Incidenti ndodhi ndërsa kandidati presidencial i qendrës së majtë Jorge Alvarez Maynez po mbante një fjalim në qytetin e San Pedro Garza Garcia.
Kandidati mbeti i palënduar nga incidenti ndërsa shpjegoi për gazetarët se ishte era e fortë ajo që shkaktoi ngjarjen e rëndë.
“Ishte një ngjarje shumë e pazakontë. Ajo që përjetuam ndodhi në vetëm pak sekonda: erdhi një stuhi, një erë e papritur dhe për fat të keq, u shemb skena, duke shkaktuar një aksident fatal.”
Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave dhe të prekurve.
Klan News