Në kuadër të vizitës së saj në Vatikan, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Pritja” të regjisorit Roland Sejko, kushtuar vizitës së Papa Françeskut, në Shqipëri, më 21 Shtator 2014, aktivitet ky i organizuar nga Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.
Kryetarja Spiropali, në fjalën e saj nënvizoi se Papa Françesku erdhi në Shqipëri për të bekuar popullin e vuajtur por të mbijetuar, për të vlerësuar dialogun ndërmjet besimeve, për t’u dhënë shpresë e besim popullit shqiptar.
Duke vlerësuar Kardinalin Ernest Simoni, pjesëmarrës në këtë aktivitet, i cili ka kaluar 28 vite në burgjet komuniste, Spiropali u shpreh se me mendje të kthjellët dhe shpirt në paqe, ai është, siç e ka quajtur, Papa Françesku, një martir i gjallë i besimit dhe lirisë.
“Në 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje të paharruar lindin emocione të forta, përmes dëshmive të rrugës së Shqipërisë, nga errësira drejt dritës” – u shpreh Spiropali.
Ndërsa, në një tjetër aktivitet të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Kryetarja e Kuvendit vizitoi Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ku ruhet “Meshari” i Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën tonë amtare.






Spiropali e konsideroi këtë një provë të lidhjeve mes kulturës shqiptare dhe kësaj epoke të viganëve të kulturës europiane e atij kontributi që na vendos denjësisht mes popujve që i kanë dhënë kulturës botërore dhe njerëzimit.
Një ditë më parë, kryeparlamentarja shqiptare u prit në një audiencë të veçantë edhe nga Papa Francesku.
Tv Klan