Bien infektimet në SHBA. Shifrat më të ulta që prej Dhjetorit në Gjermani
Ky 24 orësh shënoi rënie të ndjeshme të shifrave të pandemisë në shkallë globale, krahasuar me nivelet tepër të larta të muajve të fundit.
Numri i përgjithshëm i infektimeve ditore në të gjithë botën ra në nivelin e Tetorit të vitit të kaluar me mbi 340 mijë raste, e po ashtu edhe shifrat e viktimave. Në Shtetet e Bashkuara, po prej Tetorit infektimet ditore nuk kishin rënë asnjëherë nën kuotën e 100 mijë rasteve.
E njëjta tendencë vazhdon edhe në vendet evropiane, ku në krye të listës së vendeve me infektimet më të larta ditore vazhdon të qëndrojë Franca, ku megjithatë infektimet janë nën 20 mijë. E fundit, me shifra tepër të ulta infektimesh e viktimash është Gjermania.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se tashmë qeveria po shqyrtonte mundësinë e hapjes së kopshtet dhe shkollat e ciklit të ulët. Ndërsa pjesa tjetër e aktiviteteve jo-thelbësore që qëndrojnë mbyllur prej Dhjetorit do të hapen gradualisht mbi bazën e ecurisë së shifrave.
Ekspertët në këtë vend, ashtu si në gjithë kontinentin janë të ndarë për lehtësimin e masave. Një pjesë e tyre kërkojnë ashpërsimin për të frenuar një tjetër valë të lartë infektimesh.
Tv Klan