#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
Të ftuar:
Dr Rushan Muhameti: Mjek pneumolog
Klea Xhelilaj: Alergologe
2 receta nga zonja Vjollca
Biskota me tahini
250 gr gjalp ose margarinë
100 ml vaj vegjetal
0.5 gotë tahini
1 lugë pluhur pjekës
1 gotë miell
1 filxhan lajthi ose arra ( të grira )
3-4 gota të tjera miell
Sheqer pluhur për dekor pjekës
Fillimisht në një tigan pa yndyrë kaurdisim 1 gotë miell sa të fillojë të nxjerrë aromën e pjekjes, por pa e djegur. E kaurdisim për 2-3 minuta. Shtojmë lajthitë ose arrat e grira dhe vazhdojmë përsëri pjekjen e tyre së bashku me miellin edhe për 2-3 minuta të tjera. Më pas e largojmë dhe i lëmë të ftohen në temperaturë ambienti. Shtojmë vajin, tahinin, sheqerin, pluhurin pjekës dhe miellin, e fillojmë të përziejmë me duar. Shtojmë miellin me arrat e pjekura dhe vazhdojmë të punojmë brumin deri sa të na formohet një brumë i lidhur jo shumë i butë. E ndajmë brumin në 4 pjesë dhe bëjmë disa shirita të trashë 0,7-0,8 cm. Më pas mund ti japim forma drejtëkëndëshe, rombi ose gjysmëhëne. I pjekim në temperaturë 170 gradë për 25 minuta. Pasi i nxjerrim nga furra, i lëmë të ftohen dhe i pudrosim me sheqer pluhur.
Pulë me patate, mustardë dhe limon
1 pulë mesatare ( 1. 4 KG )
1.2 kg patate
1 kokë hudhër
3 lugë gjelle mustardë
1 lugë çaji lëkurë limoni
Lëngu i 1 limoni
Kripë + piper të zi
Rozmarinë
Vaj ulliri
Pulen e pastrojmë, e thajmë, mund ta lëmë të plotë por mund ta presim dhe në pjesë me qëllim që të piqet më shpejtë. Patatet i presim në feta të rrumbullakëta, kubik ose në feta si të portokallit. Në një tas vendosim 1 lugë çaj lëkurë limoni, vaj ulliri, mustardë, kripë + piper të zi, pak rozmarinë të thatë, pak lëng limoni. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit. Marinojmë mishin e pulës dhe e mbulojmë me celefon dhe e lëmë në frigorifer për 1-2 orë. Më pas ngrohim vajin e ullirit duke vendosur në të 1 kokë hudher të prerë në majë ( me gjithë lëkurë ) Në pjesen e mbetur të marinimit, marinojmë patatet dhe i vendosim si bazë në tepsi. Mbi të vendosim pulen të plotë ose në copa. Mund të shtojmë 150 ml lëng pule. E pjekim në furren e parangrohur në temperaturen 200 gradë për 45-50 min.
Gabimet e jetës së përditshme që ndikojnë në shëndetin e mushkërive?
Si të marrim frymë më mirë brenda në shtëpi?
Quiz/ Loja telefonike