Të ftuar:

Rezart Cenaj

Chrysanthi Kalogeri

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Shija e lazanjës në tigan

300 gr mish të grirë

1 qepë mesatare

2 thelpinj hudhra

Kripë dhe piper i zi

1 lk shafran indie

1 lgj salcë

300 gr kërpudha

100 gr bishtaja të holla

5-6 peta lazanje të copëtuara

100 gr djathë pice

Në një tigan me 4 lugë gjelle vaj kaurdisim qepën e grirë hollë. Shtojmë mishin e grirë dhe vazhdojmë përzierjen deri sa mishi të ndërrojë ngjyrë. Shtojmë hudhrat e grira, kripë, piper të zi, shafran indie, një lugë gjelle salcë dhe i përziejmë mirë të gjithë përbërësit për 2 minuta. Shtojmë kërpudhat dhe bishtajat e copëtuara dhe vazhdojmë gatimin për 5 minuta.

Më pas shtojmë petët e lazanjës të copëtuara. Shtojmë ujë të valuar në nivelin baraz me përbërësit në tigan dhe i lëmë të gjithë përbërësit të ziejnë për 15 minuta. Në fund shtojmë djathë të grirë duke mbuluar të gjithë sipërfaqen. E mbulojmë tiganin me kapak për 5 minuta deri sa djathi të shkrijë e më pas gati për ta shërbyer.

Sallatë me qiqra, rukola dhe domate

400 gr qiqra

100 gr rukola

150 gr domate

1 spec i verdhë

Parmixhan

4 lgj vaj ulliri

2 lgj uthull balsamike

Kripë

Pak ullinj sipas dëshirës

Në një tas vendosim qiqrat e gatuara dhe të shpëlara. Shtojmë në tas rukolën e copëtuar. Shtojmë domatet e prera, një spec të verdhë të prerë në kubikë të vegjël. Nëse dëshironi mund të shtoni edhe disa ullinj. Përziejmë në një tas vajin, uthullën balsamike dhe pak kripë. Shtojmë dresingun mbi sallatë e në fund pak parmixhan të prerë në feta të holla.

Hëna e re te Binjakët, dashuria dhe erotizmi përballë pengesave dhe përgjegjësive

Euro 2024, çfarë parashikojnë yjet për Shqipërinë

Jemi vetëm 11 ditë larg kampionatit Euro 2024 dhe parashikimet kanë nisur, por çfarë thotë horoskopi?  Sipas një parashikimi të shpejtë nga astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Shqipëria mund të ketë sukseset e saj.

Chrysanthi Kalogeri: Shqipëria është Shigjetari dhe ndikohet nga hëna e re në lidhje jo harmonike me Saturnin, kështu që nuk mund të them me siguri. Mund të ketë suksese, por nuk mund të them me siguri, të të garantoj një fitore. Nga ana tjetër, që të vendosësh kush do të fitojë, të bëjmë parashikime të sakta, duhet të dish shenjat,  kush luan, kush preokupohet, të shikosh hartën e njërit, hartën e tjetrit, gjithnjë në krahasim.

Astrologia shton se shumë shpejt do të ketë një parashikim të detajuar për Shqipërinë në Euro 2024. Njëkohësisht, mos harroni se të gjitha ndeshjet do të mund t’i ndiqni ekskluzivisht dhe pa pagesë në Tv Klan.

Muaji qershor favorizon erotizmin, astrologia: Do të krijohen dashuri të ndaluara

Mërkuri dhe hëna hyjnë në shenjën e Binjakëve, Marsi në Dem duke i dhënë skenës planetare ngjyrime të larmishme. Pritet që muaji qershor të sjellë mundësi, ndryshime, lëvizje dhe rivendosje për shenjat e zodiakut.

Sipas parashikimit të astrologes Chrysanthi Kalogeri në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, do të jetë një  periudhë që duam ta shijojmë kohën në maksimum, të argëtohemi dhe të krijojmë marrëdhënie të reja. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar pesha e përgjegjësisë dhe disiplinës në vendimet e problemet e përditshme.

Qershori është mjaft i mirë për marrëdhëniet dhe financat, por pritet që të ketë dashuri të ndaluara. Periudha është mjaft erotike, por shenjat duhet të përgatiten për provat e dashurisë.

Chrysanthi Kalogeri: Në përgjithësi qershori është një muaj i mirë, me një barrë përgjegjësie në fakt por gjithë periudha, që sot e deri në datën 20, do të kemi dëshirë për të shijuar në maksimum jetën e përditshme përmes komunikimit, përmes lëvizjeve, përmes udhëtimeve të vogla, të mëdha, dëshirë për t’u informuar, për të shuar kuriozitetin edhe përmes përmjetimit të eksperiencave të ndryshme. Do të kemi një jetë shumë aktive, plot gjallëri e lëvizje por të gjitha këto vijnë në antitezë me pjesën e përgjegjësisë, disiplinës, organizimit sa më të mirë të jetës tonë të përditshme dhe paralelisht, kjo situatë ka edhe një erotizëm të theksuar dhe shqetësim/angazhim për të patur përmirësime financiare. Të gjitha këto duhet të jenë të studiuara, të bëhen duke patur këmbët në tokë, duke qëndruar afër realitetit, duke e vlerësuar mirë dhe duke qenë sa më të disiplinuar. Nëse jemi duke shijuar përditshmërinë dhe hasim pengesa, nuk duhet t’i lëmë pas problemet dhe çështjet që do të na shfaqen sepse do të dalin prapë përpara në vitin që vijon apo të mëvonshme. Vendimet që do të merrni tani janë përcaktuese.

Ditët e para të javës janë shumë pozitive për biseda, kontrata, marrëveshje që do të sjellin zgjidhjen e problemeve, bashkëpunime financiare dhe ndryshime që do të përcaktojnë të ardhmen. Në fund të javës, me hënën e re në datën 6, pasojat e saj do t’i hasim në fund të javës. Hëna e re kërkon përgjegjësi, disiplinë, vë në provë marrëdhëniet e bashkëpunimet dhe është erotike. Mund të kemi marrëdhënie e njohje me më të mëdhenj, të krijohen marrëdhënie me distancë moshe, marrëdhënie të ndaluara. Marrëdhëniet ekzistuese do të testohen, disa do të shkojnë në kurorëzim e të tjera në krizë. Në sferën financiare, çdo iniciativë që do të ndërmerrni duhet të jetë e programuar. Hëna e re është me Saturnin dhe kërkon përgjegjësi, disiplinë, seriozitet, na vë përballë pengesave për të provuar nëse i kemi të gjitha këto.

Parashikimi i yjeve për javën e parë të qershorit

Muaji qershor pritet të jetë pozitiv për të gjitha shenjat. Është plot aksion që të gjitha të përpiqen për të arritur diçka, por njëkohësisht mund të lënë disa gjëra pas dore nëse nuk tregohen të organizuara.

Chrysanthi Kalogeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka parashikuar si do të jetë muaji për secilën shenjë, kryesisht për dy javët e para dhe ndikimin nga hëna në Binjak.

Dashi – Një periudhë shumë e rëndësishme për ju, plot lëvizje, komunikim, biseda, takime, udhëtime të vogla por edhe të gjata që kanë si qëllim promovimin e punës tuaj. Do të jeni të fokusuar në sferën financiare e personale. Periudha premton zhvillime në jetën personale. Fillimi i javës premton një bashkëpunim financiar që do u shërbejë qëllimeve tuaja, mund të keni mbështetjen e një njeriu të fuqishëm ose nga rrjeti social për realizimin e një plani lidhur me punën. Fundi i javës do ju bëjë të ndieni presion nga njerëz më lart se ju, jeta sociale ose karriera. Ky mund të jetë real apo thjesht psikologjik. Nuk është momenti të merrni  vendime, por të zgjidhni problemet që paraqiten për arsye se nëse nuk i zgjidhni tani do i hasni përpara.

Demi – Çështja kryesore janë financat dhe siguria brenda jush. Ana financiare përbën edhe një siguri shpirtërore që mund të funksiononi më mirë. Duhet të fokusoheni dhe deri të mërkurën mund të keni një vlerësim nga njerëz që janë më lart se ju dhe kjo të përkthehet ose duket përmes një shpërblimi financiar, rritje të të ardhurave dhe që mnd  të kenë vazhdueshmëri. Në fund të javës mos u mbështesni te të tjerët apo rrjeti social që ju kanë premtuar ndryshime ose gjëra që përcaktojnë të ardhmen pasi këtë herë nuk do të jenë në gjendje të realizojnë premtimet. Në fund të javës mos bëni shpenzime për një iniciativë që doni të ndërmerrni nëse s’keni marrë parasysh parametrat e suksesit.

Binjakët – Një periudhë ideale ku do të fokusoheni te vetja, do të keni zhvillim të jetës personale e profesionale. Deri në 5 qershor, të lindurit në ditët e para të shenjës duhet të fokusoheni në realizimin e planeve, biseda e kontakte për të ardhmen që mund të jenë të lidhura me lëvizje jashtë shtetit, studime, karrierë, ndryshimin e përditshmërisë. Të lindurit në maj janë të çliruar nga Saturni dhe përparimi bëhet pa pengesa. Të lindurit në 10-ditëshin e dytë të shenjës dhe në fund të tij, duhet të jenë të përgjegjshëm, të kapin shanset, të jenë të fokusuar në punë, realizime. Me hënën e re në shenjën tuaj,  do të ndërmerrni një iniciativë që kërkon më tepër angazhim, organizim, disiplinë dhe do të ndieni presion nga njerëzit më lart se ju. Në fundjavë mos hapni biseda, mos shtroni çështje me prindërit ose eprorët pasi nuk do të merrni përgjigjen e dëshiruar. Disiplina, organizimi dhe komunikimi që do të keni në këtë periudhë, shanset që do të kapni do të udhëheqin në suksesin tuaj.

Gaforrja – Është momenti të përqendroheni në jetën intime, personale, të veproni më të tërhequr, të gjeni kohën të çlodheni dhe nëse keni nevojë të rishihni planet, t’i korrigjoni. Duhet të kombinoni veprimin pasi pas datës  21 fillon një periudhë shumë aktive. Nga fillimi i javës e deri të mërkurën mund të gjeni mbështetje financiare që mund të vijë nga një i dashur ose një realizim apo investim. Fundi i javës do ju stresojë lidhur me marrëdhëniet personale, profesionale por sido të jenë gjërat, do të gjeni mbështetjen e duhur. Në jetën personale, mund të njihni dikë që mund të jetë më i madh në moshë dhe përmes vështirësive, pengesave, pasigurisë që mund të ndieni nuk do të mposhteni.

Luani – Vazhdoni të jeni të fokusuar në jetën sociale, karrierë por kryesisht në zgjerimin e rrjetit social për të gjetur mbështetje, njerëz, klientë që do ju ndihmojnë në realizimin e qëllimeve, planeve e projekteve. Nëse keni punë kolektive, edhe pse mund të hasni pengesa në fund do të realizohet me sukses. Fillimi i javës, sidomos deri të mërkurën do ju japë mundësi të zgjidhni një çështje prone, të bëni një bashkëpunim që do të ndihmojë planet, qëllimet dhe synimet tuaja. Në fundjavë,një premtim nga një koleg  ose bashkëpunëtor për një mbështetje ekonomike ose ndihmë, mos e besoni ose situatat do ju pengojnë në realizimin e një projekti.

Virgjëresha – Një periudhë shumë e mirë për karrierën, jetën sociale, është momenti  të nxirrni në pah punën, talentet, komunikimin pasi jo vetëm do të keni arritje por edhe do të vlerësoheni. Deri të mërkurën do të keni zhvillime e ndryshime pozitive në përditshmëri, karrierë ku mund të shpërbleheni.  Ata që janë në kërkim të një pune ose ndryshimi thelbësor, është momenti të veprojnë. Hëna e re në datën 6 do bëjë që marrëdhëniet e çdo lloji të testohen. Ato që do t’i qëndrojnë kohës do të ecin një hap përpara kurse të tjerat do të kalojnë një krizë. Në fund të javës kujdes me konfliktet me njerëzit përballë që mund të jenë bashkëpunëtorë ose partneri.

Peshorja – Një periudhë shumë e mirë për të ardhmen,planet që do të sjellin zhvillime për të. Aktivizimi që do të bëni gjatë kësaj periudhe lidhet me ngjarje që do të sjellin zhvillime dhe do të përcaktojnë të ardhmen. Të lindurit në ditët e para të shenjës do të favorizohen deri të mërkurën ku do të shikojnë ndryshime thelbësore. Duhet të jeni të kujdesshëm për problemet ligjore dhe mos ndërmerrni iniciativa në gjëra që lidhen me ligjin, normat nëse s’jeni të bindur që të gjitha janë brenda tij sepse mund të gjendeni të ekspozuar. Iniciativat janë pozitive, mjaft që të kontrolloni që çdo gjë është brenda rregullave.

Akrepi – Një periudhë shumë interesante e dinamike për sferën financiare dhe kryesisht në aspektin e lidhur në bashkëpunimet ekonomike me të tjerët. Është momenti që të shlyeni detyrimet tuaja dhe t’ju favorizojë. Fillimi i javës zgjidh një çështje të lidhur me pronat ose një problem familjar që do të jetë pozitive. 3 ditët e fundit të javës duhet të keni kujdes me iniciativat e e investimet. Është një periudhë që bazat përforcohen, por duhet të bëhen me laps në dorë.

Shigjetari – Periudhë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet e bashkëpunimet e çdo lloji. Jeni në një fazë ku do të realizoni një marrëdhënie të re personale, takoni partnerin, krijoni një dashuri të re, përforconi lidhjen ekzistuese, kaloni një provë, krijoni një bashkëpunim të ri financiar dhe këto janë në qendër të vëmendjes. Deri të mërkurën do të keni takime, biseda ku mund të nënshkruani një kontratë ose negociatë financiare që do të ndryshojë punën e përditshmërinë. Lidhur me hënën e re përballë jush dhe ngjarjet në fund të javës, do të duhet të merrni përsipër përgjegjësi  për ekonominë. Kjo mund të vështirësojë paksa situatën ose mund të ndërmerrni iniciativa që kërkojnë rregullimin e marrëdhënieve në familje ose ambientit familjar. Është periudhë shumë pozitive që duhet të përfitoni, mjaft të dini të përballoni përgjegjësinë.

Bricjapi – Një periudhë shumë e ngarkuar në jetën e përditshme e punë ku aktiviteti është i këndshëm sepse do ta shijoni pasi kombinohet puna, dashuria dhe do të keni ndryshime që do të reflektohen në sferën financiare. Deri të mërkurën keni shanse për biseda e kontakte për zhvillimet financiare. Në fund të javës jini të kujdesshëm në marrëdhëniet me të tjerët dhe njerëzit që ndani jetën e përditshme.

Ujori – Pavarësisht pengesave e vështirësive që po kalojnë sidomos të lindurit në ditët e para të shenjës  që gjenden në një ndryshim rrënjësor, është periudhë shumë e mirë. Ujori është shenja më me fat e periudhës sepse jo vetëm do të kalojë bukur, do të afrohet me të dashurit, do marrë gëzime nga fëmijët, do të përjetojë e takojë dashurinë por duhet të ketë kujdes në iniciativat financiare që duhet  të ndërmarrin si pasojë e një investimi për të kënaqur të dashurit. Kujdes në fund të javës me hënën e re sepse duhet të programoni mirë financat për të patur sukses. Është periudhë që favorizoheni në çdo drejtim për arritjet personale e profesionale.

Peshqit – Periudhë kur duhet të fokusoheni te vetja me pjesën e brendshme të jetës, por edhe në familje e shtëpi. Disa mund të merren me arredimin, të tjerë mund të marrin një shtëpi të re ku do të kenë edhe më shumë përgjegjësi. Të tjerë do të merren me pronën, shfrytëzimin sa më të mirë të saj. Është periudhë kur mund të afroheni me familjarët, të ndani momente të bukura përmes një feste dhe duhet të ngrini barrën e përgjegjësisë me Saturnin në shenjën tuaj, punoni me disiplinë e organizim,  vlerësoni situatat që paraqiten, jini me këmbë në tokë dhe synimet ose njerëzit që i mbështesin krijojnë një stres, sidomos për të lindurit në fund të 10-ditëshit të dytë të shenjës. Keni përpara një periudhë me arritje, por vitet që do të vijnë do të jenë që nga njëra anë do të kërkojnë disiplinë e organizim të veçantë, por japin shanse që të hidhni bazat për të ardhmen. Hëna e re kërkon të mos bini nga ana psikologjike, por të shihni gjërat e t’i organizoni që të jeni sa më të organizuar e disiplinuar pa u mposhtur para vështirësive.

Quiz televiziv