#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

Të ftuar:

Loreta Berhami– botuese

Redis Kondakçiu– gazetar

Irena Myzeqari– ekspert komunikimi

Në lidhje direkte nga pallati i Kongreseve: Gerti Boshnjaku– sipërmarrës në fushën e teknologjisë

2 receta nga Zonja Vjollca

Pure patate me qofte në furrë

1,2 kg patate
50 gr gjalpë
Kripë
Arrë moskat
Kopër
100 ml qumësht
400 ml pure domate
3 lgj vaj ulliri
Pak rigon ose borzilok

Për qoftet
500 gr mish i grirë
1 vezë
1 qepë mesatare
Kripë dhe piper i zi
Piper i kuq
1 lk kumin
1 lç hudhër pluhur
2 lgj parmixhan i grirë
2-3 lgj bukë e thekur, e grirë
100 gr djathë kaçkavall

Fillimisht qërojmë patatet, i presim ato në kubikë të mëdhenj ose në katërsh. I vendosim patatet në një tenxhere me ujë të bollshëm me 1 lugë çaji kripë dhe i lëmë të ziejnë 25 minuta nga pika e vlimit. Sa të ziejnë patatet, i kullojmë ato dhe i shtypim duke i kthyer në pure. Shtojmë gjalpin, qumështin, arrë moskat, 2 lugë gjelle kopër dhe i përziejmë mirë. Mund të shtoni dhe 2 lugë gjelle parmixhan nëse dëshironi.
Lyejmë një tepsi me pak vaj ose gjalpë dhe shtojmë si bazë në tepsi purenë e patates. Në një tas përziejmë purenë e domates, pak kripë, vaj ulliri, pak borzilok të thatë dhe piper të zi. I përziejmë mirë dhe mbulojmë komplet sipërfaqen e puresë të shtruar në tavë. Në një tas bashkojmë që gjithë përbërësit e qofteve. Punojmë brumin mirë dhe formojmë qofte sferike në madhësi mesatare. Vendosim qoftet mbi salcën e shtruar në tavë dhe e vendosim atë në furrë në temperaturë 180 gradë për 25 minuta. Më pas nxjerrim tavën nga furra, mbulojmë qoftet me djathë kaçkavall dhe e vendosim përsëri tavën në furrë në për 10 minuta të tjera. Më pas gati për tu shërbyer me një sallatë.

Një recetë e thjeshtë pice e bërë në shtëpi

Përbërësit e brumit
160 gr miell
1 lç maja
1 lç sheqer
1 lç kripë
1 lgj vaj ulliri
90 ml ujë të vakur

Përbërësit për salcën e picës me domate
400 gr domate ose pure domate
1 thelb hudhër
4-5 gjethe borzilok
Pak rigon
2 lgj vaj ulliri
Kripë dhe piper i zi
1 lgj salcë domate

Përbërësit për mbushjen e picës
Proshutën ose sallamin që preferoni
200 gr djathë mozzarella
Disa fije speci

Fillimisht në një gotë tresim në pak ujë të vakur (jo të nxehtë) majanë, sheqerin, 1 lugë çaji miell. I përziejmë dhe lëmë majanë të aktivizohet. E vendosim më pas në një tas ose robot duke shtuar ujin e mbetur, miellin, kripë, 1 lugë gjelle vaj ulliri. Punojmë brumin për 5-7 minuta, më pas e vendosim në një tas dhe e lëmë atë të dyfishohet. Më pas e përziejmë dhe e lëmë përsëri të pushojë për 45 minuta të tjera. Brumi i picës është mirë të zihet edhe 1 ditë më parë duke e vendosur atë në frigorifer. E hapim brumin me majat e mollëzave në një trashësi 0,4-0,5 cm. E lyejmë me salcën e përgatitur më parë. E mbulojmë me djathë mozzarella për pica. Vendosim në të feta proshute ose sallami që dëshironi. Mund të shtojmë edhe kërpudhë, ullinj, feta domate, fije speci, çfarë të preferoni. E vendosim në furrë të parangrohur në temperaturë 220 gradë për 10 minuta. E shërbejmë të ngrohtë.

Inteligjenca artificiale që po na frikëson

Elon Musk, i krisur apo i zgjuar

Çfarë është inteligjenca artificiale, anët pozitive dhe negative të saj