Ditën e mërkurë Aldo ngacmoi pak audiencën e “Aldo Morning Show” në Tv Klan se të dielën do të ketë shi. Sot, ai zbulon se arsyeja qenka Orgesa Zaimi dhe shiun do ta sjellë me një këngë. Tashmë Orgesa do të jetë pjesë e formatit “Dance With Me” ku do ta shohim edhe në disiplinat e kërcimit, ndërsa paralelisht është konkurrente në “Kënga Magjike 2022”.
Aldo: Ja tek është arsyeja pse të dielën do të ketë shi. Quhet Orgesa Zaimi dhe vjen për herë të parë në këtë program.
Albana Çaushaj: Dhe në fakt na ka sjellë diell.
Aldo: Mirë se erdhe në familjen e madhe Klan sepse do bujtësh. Pra, deri dje kur doli për herë të parë në Facebook që e pashë unë, Orgesa na merrkërka pjesë në “Dance With Me”. Por njerëzit nuk e dinë se Orgesa do të jetë edhe të dielën në “Kënga Magjike” në javën e parë. Mirë se na erdhe me të dyja këmbët në Klan!
Orgesa Zaimi: Se kaq, dy këmbë kam prandaj. Kaq kisha mundësi.
Aldo: Mirë që s’na erdhe me kalamajtë se bëheshin shumë këmbë pastaj. Arsyeja që themi ne se do bjerë shi sepse kënga e Orgesës titullohet…
Orgesa Zaimi: “Shiu i Tetorit”.
Aldo: Orgesë, na fol pak për këngën dhe çfarë do presin njerëzit të dielën.
Orgesa Zaimi: Përveç shiut, që është evident që në titull, dua të them që është një projekt… gjithmonë ku kemi muzikë, këngë të reja, kemi një emocion, zhvillim të këtij emocioni. Pa diskutim është një punë goxha e madhe që ne e kemi nisur që në Janar këtë vit në këngën magjike. Që te pranimi më i hershëm, punimi, ideja, performanca, këtë herë vij realisht shumë ndryshe.
Aldo: Vjen me një perfomancë?
Orgesa Zaimi: Me performancë. Nuk kam dalë ndonjëherë kaq e kuruar, jo se nuk kam dalë, por me performancë ose balerinë.
Albana Çaushaj: Pse është ky ndryshimi këtë vit?
Orgesa Zaimi: Sepse mendoja që të vija ndryshe. Gjithmonë kam menduar që duhet të sjellësh e të sjellësh, të tregosh më shumë nga vetja jote në çdo këngë, në çdo interpretim dhe duhet të them që këtë herë ka qenë shumë emocionues. Pa diskutim që baza e këtij emocioni ka qenë kënga shumë e bukur. Unë nuk mund t’ua përshkruaj sepse në momentin që kënga do të dalë, edhe ju do ta dëgjoni dhe mbase do i kuptoni fjalët e mia. Është një këngë shumë emocionale.
Aldo: Është këngë romantike?
Orgesa Zaimi: Është një këngë romantike-pop, nëse do të kishte një zhanër për këtë. Nuk është baladë e vazhdueshme e dhimbshme, ka një lloj gëzimi, optimizmi.
Ekskluzivisht për programin, Orgesa ndan edhe një fragment nga kënga./tvklan.al