Trafikantët po vijojnë të kontrabandojnë emigrantë nga Turqia përmes Bullgarisë në Evropën Perëndimore.
Policia bullgare ka arrestuar tetë anëtarë të një bande të përfshirë në kontrabandimin e emigrantëve të paligjshëm drejt Evropës.
Emigrantët paguanin deri në 6000 Euro për t’u transportuar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më shumë se 4000 Euro për kontrabandë në Serbi.
Drejtuesit kryesorë të bandës ishin shtetas sirianë dhe jordanezë, të cilët koordinonin aktivitetet kriminale me kontrabandistët e tjerë të vendosur në Turqi dhe përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor.
Shtetasit bullgarë ishin përgjegjës për logjistikën, gjetjen dhe blerjen e makinave që përdoreshin për transportin e emigrantëve dhe regjistrimin e tyre në emra të personave të tjerë në këmbim të parave.
Emigrantët e paligjshëm kalonin kufirin midis Turqisë dhe Bullgarisë në këmbë. Pas kalimit të paligjshëm të kufirit ata prisnin shoferët moldavë të rekrutuar në internet të cilët i transportonin në kufirin bullgaro-serb ose atë bullgaro-rumun.
Që nga Prilli i këtij viti janë evidentuar 17 incidente të kontrabandës së emigrantëve të lidhur me këtë bandë. Një nga drejtuesit kryesorë ishte tashmë i njohur për policinë, pasi ishte hetuar në të kaluarën për aktivitete kontrabande emigrantësh në Austri dhe Kroaci.
Klan News