Prokuroria bullgare: Drejtuesi i autobusit humbi kontrollin
Aksidenti ku humbën jetën 45 persona në Bullgari ka ndodhur për shkak të shoferit të autobusit. Në këtë përfundim kanë dalë hetuesit bullgarë pas disa muajsh hetime.
Shefi i hetuesve, Borislav Sarafov ka thënë se përgjegjës për tragjedinë e rëndë është shoferi i autobusit të agjencisë “Besa Trans”.
“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, ka deklaruar ai.
Më 23 nëntor të vitit 2021 në orët e hershme të mëngjesit, autobusi i kompanisë “Besa Trans” i cili nga Stambolli kthehej me turistë për në Maqedoninë e Veriut, goditi bankinën e autostradës Struma, te fshati Bosnek, ku humbën jetën 45 persona.
Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.
Tv Klan