Shkon në 20 numri i viktimave dhe 104 të shëruar
28 raste të reja me koronavirus janë identifikuar nga analizat laboratorike të institutit të shëndetit publik në 24 orët e fundit. Totali i të prekurve ka rritur në 361.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 149 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 fëmijë. Deri në këto moment..janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 361 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç”.
Shkodra dhe Tirana janë dy qytetet ku koronavirusi po përhapet më shumë.
“Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik”.
Mesnatën e të premtes është regjistruar edhe një tjetër viktimë e prekur nga koronavirusi duke e çuar në 20 totalin e jetëve të humbura.
“Një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital. 80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive. Në mbrëmje ka dalë përgjigja e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë”.
Ekspertet e shëndetësisë vijojnë të apelojnë për të respektuar rregullat e distancimit social në mënyrë që të mos kemi përhapje masive të virusit.
“ Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”.
Numri i të shëruarve nga koronavirusi në vendin tonë tashmë ka arritur në 104. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tv Klan