Dyshohet se ngjarja lidhet me përplasjet e së shkuarës
15 gëzhoja kallashnikovi gjeti policia në vendin ku mbrëmjen e së shtunës u krye një atentat ndaj dy kushërinjve Nikollaq dhe Roland Çepaj 37 dhe 27 vjeç.
Burime nga Policia e Vlorës, i thanë Tv Klan se deri më tani janë shoqëruar për t’u pyetur në polici 10 persona, kryesisht dëshmitarë okularë apo persona që mund të ndihmojnë hetimin.
Grupi hetimor ka mundur të zbardhë edhe skemën e përdorur nga autorët. Dyshohet se në atentat morën pjesë dy persona. Njëri prej tyre qëndroi në makinë, ndërsa tjetri hyri në lokal dhe hapi zjarr në drejtim të tavolinës ku ishin ulur dy të afërmit. Nikollaq Çepaj ka marrë 5 plumba në trup dhe në kokë, dhe për shkak të gjendjes së tij të rëndë është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa kunati i tij, Rolandi, është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut në Spitalin e Vlorës.
Dyshimet kryesore lidhen me të shkuarën e 37-vjeçarit Nikollaq Çepaj. Ai kishte vetëm 3 ditë që kishte dalë nga burgu për shkak të përfshirjes në një plagosje në Vlorë dy vite më parë. Në Maj të 2018-ës, ai plagosi me armë shtetasin Eraldo Lazaj 34 vjeç.
Rreth 2 orë pas ngjarjes, në fshatin Cerkovinë është gjetur i djegur një mjet Benz brenda të cilit ishte një armë kallashnikov që mendohet se u përket autorëve të krimit.
Pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet është ajo e hakmarrjes. Në qytetin e Vlorës u ngritën disa postblloqe policie pas ngjarjes, por pa mundur të bien në gjurmë të atentatorëve.
Tv Klan