Një fabrikë kimike ka shpërthyer në Spanjë duke lënë një person të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në Tarragona. Sipas mediave, viktima vdiq pasi shtëpia e tij u shemb për shkak të tronditjes nga shpërthimi.
Ministri katalanas për Punët e Brendshme, Miguel Buch, konfirmoi se përveç viktimës, 8 persona janë lënduar, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Fotot dhe videot e shpërndara me shpejtësi në internet tregonin se si kishte shpërthyer fabrika, me flakët që ngjiteshin në qiell. Shpërthimi i fuqishëm besohet se është shkaktuar nga një depozitë oksidi etileni. Kompania është e vetmja prodhuese e oksidit të etilenit në Spanjë dhe e përdorte atë për të bërë detergjentë.

Sipas mediave gjithsej kanë qenë dy shpërthime të forta, çka kanë shkaktuar dëmtime të shumta edhe tek banesat përreth. Në zonën ku ndodhi shpërthimi jetojnë rreth 300.000 njerëz. Ata u këshilluan që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mbajnë mbyllur dyert e dritaret pasi ka një rrezik ndotjeje kimike për shkak të erës.
Tarragona ndodhet 114 kilometra larg Barcelonës dhe ka një popullsi totale prej 800.000 banorësh. Shërbimi hekurudhor pranë fabrikës u pezullua, ndërsa rrugët u mbyllën. Ky rajon në përgjithësi është zonë që është zhvilluar industria kimike./tvklan.al