Një pajisje elektrike që stimulon mbaresat nervore pas veshëve mund të jetë një trajtim i ri për ata që duan të humbin peshë.
Pajisja që ka ngjashmëri me kufjet, dërgon sinjale elektrike në nervat vestibularë, të cilat janë të lidhura me pjesët e trurit që kontrollojnë ruajtjen e dhjamit dhe urinë.
Ideja është që kjo do t’i ndihmojë njerëzit të ndjehen më të ngopur. Rreth 200 njerëz po marrin pjesë në provat klinike të këtyre kufjeve.
Dietat mund të jenë efektive për disa, por shumë shpejt e rrisin peshën përsëri.
Në një studim edhe pse njerëzit që mbajtën dietë humbën deri në 10 përqind të peshës së tyre fillestare në gjashtë muajt e parë, më pas, dy të tretat e tyre morën më shumë kilogramë sesa kishin humbur brenda pesë viteve, kanë arritur në përfundim shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë
Kufjet e reja përbëhen nga dy elektroda të bashkangjitura në arna që vendosen në lëkurë pas secilit vesh (aty ku qëndrojnë mbaresat nervore vestibulare). Kur aktivizohen, elektrodat lëshojnë impulse të nivelit të ulët të stimulimit elektrik, të cilat mund të shkaktojnë një ndjesi shpimi gjilpërash pas veshëve.
Nervi vestibular është i përfshirë në kontrollin e ekuilibrit, por gjithashtu është i lidhur me hipotalamusin, një rajon i trurit që merret me rregullimin e oreksit dhe marrjes së ushqimit, si dhe normën metabolike dhe ruajtjen e yndyrës.
Studiuesit besojnë se oreksi dhe rregullimi i metabolizmit nga hipotalamusi mund të ndryshojnë nga një individ në tjetrin, prandaj disa njerëz shtojnë peshë më lehtë se të tjerët.
Mendohet se stimulimi i pulsit ditor të nervit vestibular mund të shkaktojë hipotalamusin në uljen e oreksit duke stimuluar prodhimin e hormoneve të tilla si leptina dhe insulina.
Studimet e mëparshme kanë zbuluar se leptina i tregon trurit kur trupi ka ruajtur mjaft yndyrë, e cila nga ana tjetër frenon oreksin, ndërsa insulina rregullon thithjen e sheqerit në gjak nga qelizat dhe lidhet me shtimin e peshës.
Gjysma e 200 personave që do marrin pjesë në prova, të udhëhequr nga Profesor Carel le Roux, një mjek i mbipeshës nga University College Dublin, do të marrin trajtim stimulues, ndërsa pjesa tjetër do të ketë një terapi bedel ose placebo për 45 minuta në ditë për tre muaj.
Profesori le Roux ka një reputacion ndërkombëtar në endokrinologjinë dhe trajtimin inovativ të mbipeshes. Nëse provat konfirmojnë përfitimin e parashikuar, klinicistët specialistë do ta konsiderojnë atë të paçmuar për shumë pacientë. /tvklan.al