Praga shndërrohet në tabu për kombëtaren shqiptare, kur përballë ka Republikën Çeke. Kuqezinjtë e Sylvinho zhgënjyen për të marrë të paktën një pikë ndaj vendasve, teksa u mposhtën pastër me shifrat 2-0. Një takim i nisur në malore, që na dha ndoshta edhe goditjen fatale për tu ringritur dhe shpresuar ndoshta barazimin në “Epet Arena”.
Emocione që u ndezën shumë shpejt në takimin e mbërritur ekskluzivisht për tifozët shqiptarë në televizionin kombëtar “Klan”. Avantazhi pas 12 sekondash lojë, me autor Chory (Hori) krijoi më shumë liri për çekët, të cilët fituan çdo duel në fushë duke na neutralizuar në ato pak raste të krijuara prej skuadrës sonë. Mirlind Daku u mundua për të shqetësuar mbrojtjen rivale, por në fund dështoi për të goditur portën.
Veprime që sollën edhe nervozizëm për 26-vjeçarin, i ndëshkuar me karton të verdhë në këtë 90 minutësh. Me avantazhin minimal 1-0, Çekët iu drejtuan dhomave të zhveshjeve, ndërsa në të dytën, Shqipëria mori iniciativën në kërkim të golit të barazimit.
Asani kishte shansin më të mirë, por në fund gaboi koordinatat në një goditje që shpesh ka përfunduar në fundin e rrjetës. Atë që nuk e bën mëngjerashi kuqezi e bën sërish Chory. Këtë herë me kokë, gjiganti i sulmit çek mposhti sërish Strakoshën për të shuar shpresat e kuqezinjve për një rezultat pozitiv.
Aktivizimi i Tucit, që debutoi për herë të parë me kombëtaren, Hoxhës, Seferit dhe Muçi nuk prodhuan atë që pritej nga Sylvinho, i cili tashmë duhet të bëj planet për të sfiduar mbrëmjen e 14 Tetorit, Gjeorgjinë. Këto të fundit u mposhtën 1-0 nga Ukraina për të lënë gjithçka të hapur në grupin B1 të Ligës së Kombeve. Aktualisht, grupi kryesohet nga Gjeorgjia dhe Republika Çeke me 6 pikë, ndjekur nga Shqipëria e treta dhe Ukraina e katërta në kuotën e 3 pikëve.
Klan News