Qeveria harton projektligjin për rregullimin e këtij tregu

Një vit më parë, ideja për nisjen e hartimit të një baze ligjore për t’i hapur rrugë përdorimit të monedhave virtuale u hodh nga vetë Kryeministri Edi Rama.

Së fundi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj i cili hedh bazat për krijimin e një tregu të shkëmbimeve monetare përmes kriptomonedhave, por që po ashtu synon edhe rregullimin e tij me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimi.

Mësohet se për këtë nismë është punuar prej kohësh me një grup pune ku janë përfshirë shumë institucione, Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare të Teknologjisë dhe Informacionit.

Drafti për tregjet financiare të bazuar në regjistrat e shpërndarë, i hap rrugë licencimit të kompanive që kërkojnë të operojnë në këtë fushë, ndërsa vendos rregulla të forta për shoqëritë që do të operojnë në këtë treg.

Në relacionin e projektligjit qeveria sqaron se zhvillimi i këtij tregu pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme në Shqipëri. Tregjet financiare të monedhave virtuale sot mbajnë një vlerë asetesh prej 130 miliardë dollarësh dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë botën.

Për herë të parë kjo lloj teknologjie bën të mundur shkëmbimet e pagesave mes dy subjektesh pa patur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci, siç mund të jenë bankat, platforma VISA apo PayPal.  

Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurt, të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra.

Tv Klan