Kombëtarja shqiptare e minifutbollit nuk njeh rival në Kampionatin Botëror. Kuqezinjtë regjistruan suksesin e radhës në kompeticionin, duke u kualifikuar në çerekfinalet e turneut. Skuadra e teknikut, Irtan Sejko mposhti Belgjikën me rezultatin 3-0 dhe siguruan kualifikimin mes tetë ekipeve Kombëtare më të mira të botës.
Shqipëria dominoi takimin dhe u hodh në kërkim të golit që në startin e ndeshjes. Golin e parë kuqezinjtë e shënuan që në minutën e 5-të me Erald Lecin.
Pas tre minutave, për ekipin Kombëtar dyfishoi rezultatin Endrit Kaca. Kapiteni kuqezi bëri gjithçka mirë, kaloi portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë. Kuqezinjtë gjetën golin edhe në fundin e pjesës së dytë, duke vulosur triumfin spektakolar me shifrat e pastra 3-0.
Suksesi i katërt në 5 ndeshjet e Botërorit të deritanishme, ndërsa në çerekfinale, Shqipëria do të përballet me skuadrën e Omanit.
Klan News