Shqipëria do të prezantojë në Baku, Azerbajxhan, gjatë punimeve në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike modelin e saj të mbrojtjes së mjedisit përmes burimeve të rinovueshme të energjisë.
Zv.Kryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhen në këtë konferencë.
Mirela Kumbaro: Delegacioni ynë me Kryeministrin Edi Rama ka ardhur sot për të prezantuar dhe për të marrë pjesë në samitin e nivelit të lartë të liderëve botëror për ndryshimet klimatike. Shqipëria nuk është vend që ndot, është vend 100% energji të rinovueshme, por Shqipëria mund të ofrojë një shembull për biodiversitetin dhe energjinë.
Belinda Balluku: Shqipëria do të ketë prezantim në të gjitha panelet ku flitet për energjinë e rinovueshme për të dhënë shembullin e saj më të mirë. Shqipëria tashmë në bazë të një strategjie kombëtare ka nisur diversifikimin e burimeve të energjisë të rinovueshme duke kaluar nga burimet hidro në ato solare dhe të erës dhe gjithë kjo eksperiencë do të mbahet sot në të gjitha panelet e mbajtura nga shtete apo edhe nga mbështetës siç është Banka Botërore. Jemi këtu për të marrë pjesë dhe për të dhënë më të mirën që ne kemi krijuar deri tani sa i takon mjedisit dhe energjisë.
Klan News