Pas daljes nga lista gri, Shqipëria ka përmirësuar dukshëm renditjen e saj në raportin e përvitshëm të Indeksit të Bazelit sa i përket luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në raportin e publikuar së fundmi, Shqipëria është vlerësuar me 4.35 pikë, duke u renditur e 36-ta në nivel botëror nga vendi i 72-të ku gjendej një vit më parë.
Vendi ynë lë mbrapa në këtë renditje shumë prej vendeve të Bashkimit Evropian si Gjermania, Italia, Holanda, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Rumania, por edhe SHBA-ja, Kanada e Japonia.
Sipas Ministrisë së Financave, progresi i arritur është i prekshëm dhe ka ardhur si rezultat i masave të ndërmarra sidomos në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar FATF dhe Moneyval që zënë peshën kryesore në këtë vlerësim me 65%.
Rreziku i pastrimit të parave në Shqipëri ka ardhur në rënie duke filluar që nga viti 2019 kur ka qenë edhe vlerësimi më i dobët.
Ministria e Financave shprehet se vendi ka bërë përmirësime të tjera të kuadrit ligjor dhe rregullator që ende nuk janë vlerësuar nga ekspertët e Moneyval dhe që do e përmirësonin më tej renditjen.
Sa i përket rajonit, pak më mirë se Shqipëria gjenden Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa raporti vlerëson Serbinë me nivelin më të lartë të rrezikut të pastrimit të parave.
Në nivel botëror listën e mbyll Mianmari, ndërsa në krye gjendet San Marino.
Tv Klan