Dibra për pozicionin gjeografik dhe klimën, është nga krahinat më të përshtatshme për kultivimin e pemtarisë. Më të përhapura janë molla, dardha, qershia, kumbulla dhe arrorët. Sipërfaqet e mbjella me pemë frutore janë shtuar ndjeshëm. Janë ngritur me qindra ferma të mëdha, por ka edhe nga ato që sipas mundësisë, kanë mbjellë në sipërfaqe më të vogla.
Vetëm në teritorin e Bashkisë Dibër, janë mbjellë mbi 1260 hektarë pemtore, me më shumë se 940 mijë rrënjë, shumica prej tyre mollë.
Viti i kaluar nuk pati shumë prodhim për shkak të ngricave që ranë gjatë kohës së lulëzimit. Pranvera e sivjetme duket se po vjen e mbarë, kjo pasi pjesa më e madhe e pemëve kanë mbyllur procesin e lulëzimit dhe po formojnë frutin.
Osman Begu (Specialist i bujqësisë): Pas një viti të vështirë siç ishte 2023-i, 2024 duket një vit shumë i mbarë për pemtarinë. Aktualisht ndodhem te një parcelë me dardhë e varietetit Santa nga i cili fshati ynë ka 10 hektarë. Siç duket prodhimi deri më tani është i mbarë.
Pjesa më e madhe e femerëve nuk kanë kontakte me agronomë, dhe shërbimet i kryejnë vetë, pa u konsultuar me specialistë. Edhe pse Drejtoritë e Bujqësisë tashmë kanë vetëm rol këshillimor, nuk ka mjaftueshëm specialistë për t’i këshilluar, për kohën e përdorimit të pesticideve dhe plehrave kimike, apo me çfarë duhet të trajtohen pemët.
Osman Begu (Specialist i bujqësisë): Ka shumë pak specialistë bujqësie dhe mbulimi i gjithë fermerëve me specialistë është pak i vështirë. Jo të gjithë fermerët mund ta gjejnë kontaktin me agronomë.
Artur Xhediku (fermer): Shoh që është një mungesë e madhe e informacionit se si duhet të trajtohet një pemë, nuk e dinë rreth 85% e fermerëve. Ka shumë mangësi.
Arturi është bërë i famshëm për shartimet. Ai punon jo vetëm në Dibër, por në të gjithë Shqipërinë, Kosovë, Maqedonine e Veriut deri në Bolzano të Italisë.
Artur Xhediku (fermer): Ja të të tregoj një shartim që e kam bërë, ka 4 vite. Kjo është edhe një mollë, e dardhë. Piqet shumë shpejt, kristalinë quhet.
Klan News