Ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga reshjet e shiut e të dëborës. Situata paraqitet problematike në disa zona që janë bllokuar. Në një lidhje direkte me ”Rudina” në Tv Klan, gazetarja Emi Kalaja raporton nga Shkodra se për të dashuruarit me dëborën, nuk ka pasur reshje në qytet. Sidoqoftë, manteli i saj ka mbuluar Thethin, Bogën e Lëpushën ku ndodhen edhe firmat kontraktore për të lehtësuar lëvizjen.

Përveç bukurisë, dëbora sjell edhe kostot e saj. Në thuajse të gjitha fshatrat e qarkut Shkodër mungon energjia elektrike. Njëkohësisht, reshjet nuk kanë ndalur.

Emi Kalaja: Në qarkun e Shkodrës duke përfshirë Pukën dhe Fushë-Arrëzin që janë zonat më të thella malore, ka sjellë kostot e veta. Në disa shkolla është pezulluar mësimi, në disa akse është e pamundur të kalosh dhe në disa të tjera nuk kanë mbërritur as borëpastruesit. Ndërkohë një problematikë e madhe sa u përket kostove të dëborës në qarkun e Shkodrës është mungesa e energjisë elektrike në thuajse të gjitha fshatrat, përfshirë të bashkisë Shkodër, veçanërisht në zonën e Dukagjinit, në plazhin e Velipojës,   qoftë edhe në zonat përreth Shkodrës. Po ashtu edhe në Fushë-Arrëz dhe Vaun e Dejës ka pasur  probleme me furnizimin e energjisë elektrike dhe kjo ka pasur pasojat e veta. Siç mund të shihni,  temperaturat janë shumë të ulëta, po shoqërohen me erëra të forta, çka e bëjnë të pamundur sistemin energjitik të funksionojë më së miri, pavarësisht gatishmërisë që kanë treguar OSSHE, por rrjeti i amortizuar, veçanërisht në zonat malore e ka bërë të vetën dhe pavarësisht se ka dëborë jashtë, brenda janë me qiri.

Rudina Magjistari: Aktualisht vazhdojnë reshjet në këto zona, keni informacion?

Emi Kalaja: Po, ka reshje pa ndërprerje në zonat malore të Pukës dhe Fushë-Arrëzit por edhe në zonën Bogë, Theth, Qafë-Thore, Tamarë, ka reshje të pandërprera të dëborës.

Ndërkohë prej dy ditësh është zbardhur Korça. Korrespondentja Enxhi Kosturi thotë se ka pasur edhe atje bllokim të rrugëve por edhe në Pogradec, ku s’kanë munguar as situatat pak kaotike. Ajo sjell në vëmendje se automjetet duhet të lëvizin zinxhirët për të lëvizur në akset rrugore.

Enxhi Kosturi: Pogradeci është zbardhur, kemi pasur turistë vendas e të huaj. Vendet që frekuentohen, dihet tashmë që Pogradeci dhe Korça ngelen dy destinacionet më të frekuentuara. Kemi pasur bllokim rruge në Qafë-Thanë ku njerëzit kanë ndenjur me orë të gjata sepse s’kishin marrë masat sa u përket gomave dimërore dhe për këtë arsye kemi pasur një kaos, por është rregulluar edhe kjo situatë. Nëse do të flasim për në Dardhë e Voskopojë vazhdojnë të jetë e bllokuar, pavarësisht se bashkia e ka pastruar por për shkak të fluksit të njerëzve, që shkojnë ta fekuentojnë janë të papërgatitur, kështu që një paralajmërim që duhet të marrin zinxhirët me vete.

Rudina Magjistari: Reshjet vazhdojnë në këtë moment që flasim?

Enxhi Kosturi: Në këto momente jo, por një erë e fortë ka fryrë sot gjatë gjithë ditës dhe reshjet e dëborës i kemi pasur në intensitet të ulët në krahasim me dje./tvklan.al