Një ekip shkencëtarësh të Google kanë krijuar një sistem inteligjence artificiale që mund të diagnostikojë sëmundjet duke vlerësuar zhurmat e kollitjes dhe frymëmarrjes.
Sipas tyre, motori i ri është trajnuar përmes miliona regjistrimeve audio të zhurmave të prodhuara nga njeri. Sistemi Health Acoustic Representations (HeAR) mund të përdoret për të diagnostikuar sëmundje, përfshirë Covid-19 dhe tuberkulozin si dhe për të kuptuar sesa mirë funksionojnë mushkëritë e një njeriu.
Aktualisht, ky mjet po përdoret vetëm nga kërkues të tjerë dhe ndoshta një ditë do të jetë edhe në duart e mjekëve, por premisa për përdorim masiv duket e madhe. Imagjinoni sikur keni një kollë që nuk ju lë të qetë por mësoni menjëherë për medikamentet që duhet të merrni.
“Zhurmat akustike si kollitja dhe frymëmarrja përmbajnë sinjale të dobishme shëndetësore me potencial për të monitoruar sëmundjen, por janë ende të paeksploruara në komunitetin e mjeteve mjekësore”, janë shprehur kërkuesit.
Ata përdorën mësimin e vetëkontrolluar që bazohet te të dhënat e paklasifikuara. Përmes një procesi automatik, shkencëtarët morën më shumë se 300 milionë pjesëza të shkurtra audio ku dëgjoheshin kollitje, frymëmarrje, pastrim fyti etj nga videot e publikuara në Youtube.
Secili prej tyre u kthye në një paraqitje vizuale që quhet spektogram. Më pas ata zgjodhën segmente të tij që modeli të mësonte si të parashikonte pjesët që mungonin.
Kjo është një metodë e ngjashme se si ChatGPT mësoi të parashikonte fjalën pasardhëse në një fjali.
Me këtë mënyrë, kërkuesit krijuan modelin themeltar që do të përdoret për shumë detyra të tjera. Avantazhi kryesor i HeAR është baza e madhe e të dhënave me të cilat është ushqyer. Sistemi mund të ndryshohet për të kryer detyra të shumta. Gjithsesi, shkencëtarët pranojnë se është ende herët për të thënë se kur do të kthehet në një produkt komercial.
Plani i tanishëm është që shkencëtarët e interesuar të mund të përdorin modelin dhe të sjellin risi të tjera në këtë fushë./tvklan.al