Pavarësisht vendimit të Apelit ditën e Enjte, deputeti Ervin Salianji deklaroi se fushatën elektorale do e bëjë nga burgu. Por duke marrë parasysh masat strikte në ambiente të tilla, si do e realizojë?


Sot nga selia e PD, ai tha se do e gjejë formën e duhur të komunikimit edhe në kushtet e izolimit.

“Do ju thërras ju dhe do ju flas nga dritarja. Përtej shakasë, ka mjete komunikimi, do u drejtohem me letra nga burgu. Izolimin tim e kanë bërë dhe për një arsye tjetër, nuk është kjo forma ime e parapëlqyer e komunikimit. Në fushata unë preferoj të takoj qytetarët dhe të jem kudo me orë të gjata duke i kufizuar në dy, tre orë periudhën e gjumit. Por besoj që ky dënim politik ka motivuar shumë njerëz, shoh reagimet, që dua t’u shpreh mirënjohjen. Do motivohem dhe do jetë një formë tjetër reagimi. Sistemet autokratike kur janë në kalbjen përfundimtare bëjnë veprime të paimagjinueshme.”

Ai komentoi edhe refuzimin e kërkesës së grupit të PD për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Do doja të pyeteshin kolegët, në parim e shoh se duhet të kishte një vendimmarrje dhe diskutim në Këshillin e Mandateve për të bërë të gjithë sqarimin ligjor, kur i kufizohet liria deputeti nëse Kuvendi nuk jep autorizim. Jemi në kushtet e kufizimit të të gjitha lirive. Kuvendi reagon me burime, kanë turp t’i vendosin fytyrën, por turpi mbetet i tyre, çfarë t’u them! Qëndrimi im nuk ndryshon dhe do jem aty ku e ka caktuar regjimi. Unë do bëj të gjitha komunikimet e mia, s’kam fituar asgjë personalisht nga kjo, madje në shumë dimensione kam humbur sepse është sakrificë të përballesh me institucionet e drejtësisë. Do i dëgjoj kolegët. por padiskutim kam vendimmarrjen time.”

/tvklan.al