Një ditë para të Martës së madhe të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për rivalët është thuajse e ndarë më dysh.
Sondazhet më të fundit tregojnë se epërsia e demokrates Kamala Harris ndaj republikanit Donald Trump është ngushtuar në më pak se 1%.
Megjithatë nuk është vota e drejtpërdrejtë popullore që përcakton fituesin, por ajo e delegatëve të Kolegjit Zgjedhor.
Secili nga 50 shtetet ka një numër të caktuar delegatësh, me 538 të tillë në total.
Të gjithë delegatët në secilin shtet i kalojnë kandidatit që merr shumicën atje, me përjashtim në Meinit dhe Nebraskës.
Bazuar në historikun e dekadave të fundit, kjo hartë tregon se si ndahen vendet që votojnë gjithmonë demokratët dhe republikanët.
Bazuar në këtë ndarje e gjithë beteja e 5 Nëntorit përqendrohet tek 7 të ashtuquajturit “shtete të paqëndrueshëm” që ofrojnë 93 delegatë, që kandidatët të kapërcejnë kufirin 270 delegatëve mbështetës për t’u zgjedhur president.
Teksa Harris i duhen më pak delegatë referuar shteteve ku e ka të sigurt fitoren, ajo duhet të fitojë të paktën 3 nga këto 7 shtete, ndërsa Trump të paktën 4.
Megjithatë, sondazhet për këto shtete tregojnë se Trump ka të gjitha mundësitë të sigurojë 5 nga këto shtete, çka mund t’i japë atij mandatin e dytë presidencial.
Tv Klan