Në këtë artikull do të përpiqemi që t’ju shpjegojmë se si zhvillohet procesi zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidati që do të fitojë Shtëpinë e Bardhë ka fatin e vendit dhe jo vetëm.

Por si zhvillohen zgjedhjet në Amerikë?

Sipas ligjit amerikan zgjedhjet presidenciale zhvillohen çdo katër vite. Këto zgjedhje të përgjithshme, që prej vitit 1845, zhvillohen të martën e parë të muajit Nëntor.

Këtë vit i bie data 5 Nëntor.

Shtetet kujdesen vetë për zgjedhjet e tyre, që do të thotë se votimet mund të ndryshojnë nga shteti në shtet.

Votimet e para mbyllen në Ditën e Zgjedhjeve në orën 18:00 sipas Zonës Kohore Lindore në Indidiana dhe Kentucky, ndërsa në vende të tjera si Alaska të mërkurën në orën 01:00 të mëngjesit.

Pjesa tjetër e shteteve i mbyllin votimet mes këtyre dy orareve. Por shumë amerikanë votojnë më herët, personalisht ose me postë.

Pse dita e zgjedhjeve zgjat më shumë se një ditë?

Siç e cekëm dhe më lart, çdo shtet ka rregullat e veta për zgjedhjet dhe këto mund të jetë të ndryshme nga shtetet e tjera. Për shembull: Shtetet e Washington-it, Utah-ut dhe Oregon-it, votojnë pothuajse me postë, një proces që shtrihet përgjatë disa javëve.

Çdo shtet ka disa forma të votimit të hershëm, një proces që hapet për personat që nuk mund të votojnë ditën e zgjedhjeve. Kjo bëhet që të marrin pjesë sa më shumë njerëz në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Kandidatët për këtë vit?

Për Demokratët kandidate është zv/presidentja Kamala Harris. Ajo ka zgjedhur si zëvendës së saj, guvernatorin e Minnesota-s, Tim Walz.

Për Republikanët, kandidat është Donald Trump, i cili garon bashkë me senatorin JD Vance të Ohio-s si zëvendës të tij.

Por në garë ka edhe kandidatë të tjerë dhe opsionet variojnë nga shteti në shtet.

Kandidati i Partisë Liberale, Chase Oliver është pothuajse në çdo shtet, njësoj si kandidatja e Partisë Jeshile, Jill Stein.

Edhe ish-Demokrati, Robert F. Kennedy Jr është pothuajse në çdo fletëvotimi. Por pavarësisht se ka kandiduar si i pavarur ai ka shprehur mbështetje për Trump.

Me pak fjalë, pjesa më e madhe e amerikanëve do të votojnë ose për Harris, ose për Trump.

Kur do e mësojmë fituesin?

Kjo mund të zgjasë pak. CNN arriti ta projektonte fituesin në zgjedhjet e vitit 2020 vetëm pas 4 ditësh nga Dita e Zgjedhjeve. Shumë shtete patën rezultate shumë të ngushta atë vit.

Në vitin 2016, Hillary Clinton e pranoi humbjen një ditë pas zgjedhjeve edhe pse numërimi vazhdonte në shumë shtete.

Nuk është rast i njëjtë me Trump. Nëse në shtetet kyçe do të jetë rezultat i ngushtë mund të duhen ditë për të përcaktuar një fitues. Lajmi i mirë është që disa shtete kanë bërë ndryshime që prej zgjedhjeve të 2020-ës për ta pasur më të lehtë për zyrtarët elektoralë që të kenë një avantazh në numërimin e votave me postë, të cilat kërkojnë kohë më të gjatë për t’u numëruar.

Në vitin 2000, një prej zgjedhjeve me rezultatin më të ngushtë në historinë e SHBA-së, u deshën 36 ditë që të shpallej fituesi. Asokohe Gjykata Supreme përfundoi rinumërimin në Florida. Në ato zgjedhje gjërat u komplikuan për shkak të problematikave në fletëvotime në disa qarqe të Florida-s. Por këtë vit nuk parashikohet diçka e tillë.

Madje puna mund të shkojë deri në atë pikë saqë rrjetet televizive si CNN mund ta projektojnë fituesin natën e zgjedhjeve. Por kjo mbetet për t’u parë.

Si zgjidhet Presidenti në SHBA?

Më shumë se 150 milionë banorë pritet të marrin pjesë në votime. Por janë 538 zgjedhësit, ata që vendosin presidentin në një proces që zgjat nga Dhjetori deri në Janar.

Kur qytetarët hedhin votat, ata në fakt vendosin për një listë zgjedhësish që lidhen me kandidatin që fiton votat popullore në çdo shtet. Këta zgjedhës më pas hedhin votat për presidentin dhe zv/presidentin në kryeqytetin e çdo shteti më 17 Dhjetor. Ky takim njihet si Kolegji Zgjedhor dhe është i përcaktuar në Kushtetutë.

Këto vota elektorale numërohen më pas në dhomën e Përfaqësuesve më 6 Janar 2025. Presidenti i ri e merr detyrën më pas më 20 Janar 2025.

Si ndahen votat elektorale?

Numri lidhet me madhësinë e delegacionit kongresor shtetëror, me një votë për secilin senator dhe anëtar të Kongresit. Shtetet më të vogla, si Alaska, Delaware, dy Dakotat, Vermont-i dhe Wyoming, marrin secila nga tre vota.

Me çdo anëtar shtesë në Kongres, një shtet merr nga 1 zgjedhës më shumë. Shtetet më të populluara janë Kalifornia (54 vota zgjedhore), Teksas (40 vota zgjedhore) dhe Florida (30 vota zgjedhore).

Këto numra mund të ndryshojnë çdo 10 vjet pasi Kushtetuta kërkon një census të popullsisë dhe më pas numri i vendeve në kongres ndahet në mënyrë proporcionale.

Censusi më i fundit u realizua në 2020 dhe për këtë arsye edhe numri i votave zgjedhore ka ndryshuar. Votuesit në Washington DC marrin po ashtu tre vota zgjedhore falë një neni në Kushtetutë, por ata nuk kanë të drejtë përfaqësimi në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat.

Sa vota duhen për të fituar Shtëpinë e Bardhë?

Në total janë 538 zgjedhës. Kjo shifër është e njëjtë me 100 senatorët dhe 435 anëtarët e Kongresit, plus 3 votat për Washington D.C. Shumica e votave që duhen marrë për t’u shpallur fitues është 270.  

Çfarë ndodh nëse ka barazim?

538 është numër çift çfarë do të thotë se edhe një barazim është i mundshëm. Ka ndodhur vetëm një herë në të shkuarën, në 1800, por atëherë rregullat ishin ndryshe.

Nëse asnjë kandidat nuk arrin 270 votat e nevojshme atëherë Presidentin e zgjedh Kongresi, ndërsa Senati zgjedh zv/presidentin.

Secila prej 50 shteteve do të ketë nga një votë. Republikanët kanë aktualisht më shumë vende në Kongres. Parashikohet që edhe në zgjedhjet e Nëntorit, Republikanët të mbajnë këto kuota.

Me pak fjalë, një barazim do të sillte fitoren e Trump.

Si zgjidhen anëtarët e Kongresit?

Çdo dy vjet 435 anëtarët e Kongresit luftojnë për karrigen e tyre. Dihet se ku i kanë bastionet e sigurta Republikanët dhe Demokratët, por gjithmonë ka një mundësi që shumica të ndryshojë duar.

Demokratët favorizohen në 208 gara, ndërsa republikanët në 212 prej tyre. Këto zgjedhje nuk pritet që ndonjë prej dy partive kryesore të ketë shumicë shumë të madhe. Ndryshimet në balancën e pushtetit kanë ndodhur shumë më shpesh zgjedhjet e fundit.

Në këto zgjedhje ka mundësi që Demokratët të fitojnë shumicën e tyre të vogël për Kongresin e ardhshëm edhe nëse humbin Shtëpinë e Bardhë apo kontrollin e Senatit.

Është shumë e rëndësishme për secilën palë që të kontrollojë Kongresin. Presidentët kanë nevojë për kontroll për të miratuar prioritetet e tyre. Partia opozitare dëshiron kontrollin që të bllokojë prioritetet e kreut të shtetit.

Po Senati si funksionon?

Ndryshon pak puna te Senati. Vetëm 1 e 3 e vendeve të Senatit janë në garë çdo dy vite. Demokratët janë në mbrojtje në këtë aspekt pasi po përpiqen të mbajnë shumicën e tyre të lehtë aty.

Pavarësisht se kush ka kontrollin e Senatit, asnjëra palë nuk pritet të ketë “supershumicë”./tvklan.al