Përpos rrëfimeve rrëqethëse të atyre që vuajtën padrejtësisht për vite me radhë në burgjet e Sirisë, në rrjete sociale rasti i Mazen al-Hamad i ka prekur të gjithë.
Në videot virale të tij, sheh pafund komente të njerëzve nga çdo cep i botës. Një djalë i ri me lot në sy që flet për mënyrën si është torturuar…Më e trishta? Ai ka ndërruar jetë, ndërsa intervista që po shfaqet kudo në rrjet është regjistruar vite më parë…
Aktivisti u gjet i vdekur në burgun famëkeq Saydnaya të Damaskut në fillim të këtij muaji. Me qindra njerëz u mblodhën në Damask për funeralin e tij, ku e cilësuan “martir të lirisë e revolucionit”. Al-Hamada u arrestua për herë të parë në vitin 2011 pasi organizoi një tubim pro-demokratik në kuadër të Pranverës Arabe, kohë kur dokumentoi represionin ekstrem të qeverisë siriane.
Në 2012-ën, ai u arrestua sërish për kontrabandë. Ai u largua nga Siria në 2013-ën e një vit më vonë mori azil në Hollandë.
Edhe një herë, ai pati mundësinë t’u tregonte njerëzve “horrorin” që kishte përjetuar e masakrat që i kishin parë sytë. Madje udhëtoi edhe drejt Shteteve të Bashkuara, për të marrë pjesë në takime ku do “hapte zemrën”, jo vetëm për të hequr pak nga traumat që i ishin shkaktuar, por edhe për të kërkuar drejtësi.
Në gisht Mazen mbante akoma unazën e së fejuarës së tij e cila ishte vrarë gjatë kohës që ai ishte në burg. Me dëshmitë e tij, ai u bë zëri i një populli të tërë, mes të cilëve të paktën 157 mijë mbaheshin në qeli. Mes tyre, mijëra fëmijë e gra…
“Nuk do resht derisa t’i çoj ata para gjykatës”, thotë ai në videon e bujshme, me dhimbjen që nuk e mban dot. “Drejtësi për mua dhe miqtë e mi që janë vrarë. Edhe nëse kjo më kushton jetën! I dua ata para drejtësisë me çdo kusht”, vijon ai.
Al-Hamada u rikthye në Siri 4 vite më parë në një formë krejt të papritur, që shumë e cilësojnë si “zhgënjim të tijin me komunitetin ndërkombëtar”. Ai u dekurajua pasi nuk po ndihmonte njerëzit e tij…
Rikthimi e çoi sërish në duart e regjimit. Përveçse u torturua në mënyrë çnjerëzore, e kërcënuan me familjen e tij. Ai i kushtoi jetën e tij luftës ndaj regjimit të Bashar al-Assad, por nuk mbijetoi dot për ta parë “fitoren”. Al-Hamada është kthyer në simbol rezistence e shprese për popullin e Sirisë.
/tvklan.al