Ish-ministrja e Arsmit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh për videon virale të saj lidhur me recetën e ballokumeve. Kushi, e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, tha se videon e bëri për të ndërgjegjësuar qytetarët e Elbasanit që të ruajnë traditën brez pas brezi, pavarësisht se rinia sipas saj, po shkon pas tendencave të tjera. Gjithashtu, ajo tregon që videoja është bërë në kushte shtëpie dhe është filmuar nga vajza e saj.
Rudina Magjistari: Këtë vit bëre një video që u bë virale si asnjëherë tjetër, si asnjë video tjetër.
Evis Kushi: Arsyeja pse vendosa të bëj një video, është se dua që të ndërgjegjësohet çdo familje e Elbasanit që ta ruajë traditën dhe ta përcjellë atë brez pas brezi. Ndoshta rinia sot shkon pas tendencave të tjera, por këto janë tradita që na bëjnë krenar. Të parët tanë i kanë trashëguar dhe i kanë ruajtur me fanatizëm, duhet t’i ruajmë dhe ne.
Deputetja Evis Kushi ndau edhe disa sekrete lidhur me përgatitjen e brumit te ballokumeve, të cilin njërin prej tyre nuk e kishte cekur në videon virale.
Evis Kushi: Një nga sekretet është që ena ku përgatitet brumi i ballokumeve duhet të jetë enë bakri, sepse e ruan nxehtësinë dhe shkrin më mirë. Një sekret tjetër, që ndoshta aty në video nuk e kam prezantuar, duhet edhe pak lëng fije nga hiri kur digjen drutë. Hiri tretet pak me ujë dhe në një lëvozhgë veze hidhet pak lëng dhe kjo i bën më të shkrifëta. /tvklan.al