Ishte kjo video e publikuar në kanalin ABC7 të New York, që ndezi rrjetin duke rikthyer si dikur në qendër të vëmëndjes mediatike artisten Parshqevi Simaku.
Por kësaj radhe ndryshe, me shumë pikëpyetje nëse vërtetë ylli i skenës shqiptare, është gruaja që shihet në pamje duke marrë ndihma nga disa fëmijë në rrugët e New York-ut.
Pas shumë mesazheve në platformat online, gazetari Blendi Fevziu, ndau këtë material për të mësuar më shumë për fatin e këngëtares ikonë, që la Shqipërinë pas rënies së komunizmit për të ndjekur ëndrrën hollivudiane.
“Imazhi i fundit i saj ishte shfaqja në këtë video, po çfarë ndodhi?! Me dhjetëra shqiptarë më kanë dhënë informacione të ndryshme. Jeton pa shtëpi në vende të ndryshme të New York-ut, në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Ata që e kanë njohur thonë që ka evituar të këtë kontakte me shqiptarët.”
Gazetari Blendi Fevziu vuri në lëvizje shqiptarë dhe biznesmenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta gjetur dhe ndihmuar ikonën e muzikës shqiptare, ndërsa kërkoi nga shteti një mënyrë për ta ndihmuar, artisten që solli një tjetër shije në skenën e muzikës në vend.
“Nuk e di nëse Shqipëria mund të bëjë diçka për të, por dy biznesmenë të fuqishëm më kanë kontaktuar duke thënë që kanë vënë në lëvizje avokatët e tyre për ta ndihmuar….”
Që pas publikmit të videos, rrjeti ka “vluar” me reagimet për fatin e këngëtares, që shumë e deshën dhe e adhuruan në kohën e diktaturës, për muzikën, zërin dhe përformancat e saj dinjitoze.
Tv Klan