Donald Tramp po fiton terren ndaj Kamala Herrisit në sondazhet për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të cilat janë një javë larg. Ky sondazh i medias amerikane “Abc News” me të dhënat e orëve të fundit tregon se epërsia e Kamala Herrisit është ngushtuar ndjeshëm dhe tashmë diferenca është 1%, teksa vetëm 1 javë më parë ishte mbi 2%.
Kandidati republikan po thellon epërsinë tek 7 shtetet federale që konsiderohen si përcaktuese të fituesit të presidencialeve të 5 Nëntorit. Sondazhet tregojnë se Tramp pritet të fitojë në 5 prej tyre, Harris vetëm në Miçigan, ndërsa në Uiskonsin rezultati është i barabartë. Tendenca është që Tramp të shpallet fitues edhe në ato dy shtete.
E teksa të dy kandidatët po vijojnë intensivisht fushatën e tyre elektorale në ditët e mbetura, Tramp premtoi gjatë tubimit në Xhorxhia, një prej shteteve kyçe se do të ketë një vend në administratën e tij për miliarderin Ilon Mask, i cili ka qenë i pranishëm në një pjesë të madhe të takimeve më të fundit të kandidatit republikan.
Tv Klan