Diplomati danez Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e Përfaqësuesit të Posaçëm për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ishte propozuar për të zëvendësuar sllovakun Miroslav Lajçak nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Sorensen do të nisë mandatin në fillim të muajit Shkurt.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen e këtij diplomati nga Danimarka, palëve po ju dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë.

Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup. Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Miroslav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku.

BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011.

Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

Klan News