Ata kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit për muaj të tërë, por Presidenti amerikan Joe Biden dhe Donald Trump do të përballen këtë të enjte në debatin e parë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Kandidatët e partisë Demokratike dhe Republikane do të përballen në Atlanta të Georgia. Debati do të drejtohet nga drejtuesit e CNN, Jake Tapper dhe Dana Bash dhe do të zgjasë 90 minuta. Sipas shumë analistëve, debate pritet të fokusohet më shumë tek akuzat e ndërsjella sesa te diskutim politik.
“Këto janë debate të pazakonta. Ne kemi një president që debaton me një ish-president. Ne nuk e kemi pasur këtë në historinë e debatit presidencial më parë. Kështu që publiku është më i informuar për të dy këta kandidate. Por këtë vit, për shkak të moshës së të dyve, ekziston nevoja, edhe nëse mendoni se dini shumë për të dy kandidatët, dhe keni më shumë gjasa që këtë vit për të, ju të jeni në gjendje të thoni, a janë ata mjaftueshëm të mprehtë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara dhe mendërisht të qëndrueshëm.”
Amerikanët do të mësojnë nëse vendimi për shpalljen fajtor të ish-presidentit Donald Trump do të përdoret si një pikë sulmi në skenën e debatit nga rivali i tij demokrat, presidenti Joe Biden. Nga ana tjetër të dy kandidatët nuk e kanë fshehur dëshirën për të debatuar, teksa ish-presidenti amerikan Donald Trump në mitingjet e fundit, pyeste mbështetësit e tij se si duhet të sillet gjatë përballjes me presidentin Biden.
Trump pretendon se Biden është fizikisht dhe mendërisht i papërshtatshëm për postin, ndërsa Biden e ka quajtur paraardhësin e tij, një rrezik për normat demokratike. Emigracioni, siguria publike dhe të drejtat riprodhuese ka të ngjarë të jenë gjithashtu tema debati, pasi cilësohen si shqetësimet kryesore të amerikanëve.
Politika e jashtme është gjithashtu një temë me interes në zgjedhjet e këtij viti dhe kandidatët pritet të pyeten për pozicionet e tyre ndaj luftës së Izraelit në Gaza, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe konkurrencën me Kinën. Biden e ka akuzuar Trumpin se është një kërcënim për demokracinë pasi mbështetësit e ish-presidentit sulmuan Kapitolin e SHBA më 6 Janar 2021 për të ndaluar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Dy kandidatët më të vjetër që kanë kandiduar ndonjëherë për president të SHBA-së do të përballen sërish në 10 Shtator për një tjetër debat televiziv.
Klan News