Socialistët dhe përfaqësuesit e selisë blu do të ulen ditën e sotme në Konferencën e Kryetarëve për të ndryshuar kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit dhe për të përfshirë në axhendën kuvendore dhe miratimin e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga demokratët.

Pas javësh komunikime mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi, grupimi i këtij të fundit do të heqë dorë nga strategjia bllokuese që ndiqet prej 5 Tetorit dhe do të dorëzojnë kërkesën për nisjen e hetimit parlamentar për 2 nga 8 çështjet që kishin kërkuar më herët.

Selia blu ende nuk bën të ditur kë nga kërkesat e mëparshme të rrëzuara nga socialistët do të ridepozitojnë në Kuvend.

Kjo ishte një nga dy kushtet e panegociueshme të opozitës për t’ju kthyer normalitetit. Sa i takon ndryshimit të përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, kjo nuk është pranuar nga socialistët dhe nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë opozita lidhur me këtë kërkesë.

Edi Rama e bëri të qartë dhe në fundjavë në Shkodër që nuk do ta zgjasin më tej mandatin e këtij komisioni, por do të tentojnë të kenë një produkt që të marrë konsensusin në sallën e seancave plenare, nëse jo deklaroi ai, do të shkohet në zgjedhje me ligjin aktual elektoral.

Gjithsesi ajo që tashmë duket se është përfundimtare, është rikthimi i normalitetit nga ana e opozitës që në seancën e 21 Marsit. Ndryshimi i qasjes erdhi edhe si kontribut i faktorit ndërkombëtar. Përfaqësuesi diplomatik i BE-së në Tiranë foli për qëndrimin që ka zyra e tij lidhur me përfaqësimin në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv dhe të reflektojë realitet politike në vend”, tha Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Tiranë.

Ndërsa i ngarkuari me punë në selinë diplomatike amerikane u informua për rikthimin e normalitetit në parlament nga kryeparlamentrja Nikolla. Siç njofton zyra e kryeparlamentares, Wisner ka shprehur vlerësimin e tij pasi Parlamenti ka deklaruar ai është shumë i rëndësishëm për sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe ardhmes së vendit./tvklan.al