Humbja në finalen e Europianit, mund të ketë qenë ndeshja e fundit për trajnerin Gareth Southgate, në stolin e Anglisë.

Siç kishte njoftuar edhe para Euro 2024, gjasat që tekniku 53-vjeçar të largohet nga drejtimi i “tre luanëve”, janë të mëdha.

Në këtë situatë, në Angli kanë dalë emrat e parë që mund të zëvendësojnë Southgate-n në stol.

Sipas “The Guardian”, i pari në listë për të marrë drejtimin e nënkampionëve të Europës, është trajneri aktual i Newcastle, Eddie Howe. Kandidatë të tjerë për stolin janë edhe emra si Graham Potter, Thomas Tuchel, Mauricio Pochettino dhe trajnerin e Anglisë U21, Lee Carsley.

Në listë mund të futen edhe dy ish-mesfushorë që kanë bërë histori me anglezët, Frank Lampard dhe Steven Gerrard.

Vendimi pritet të merret në muajin gusht, pas pushimeve të Europianit, kur Federata Angleze do të fillojë të mendojë për Ligën e Kombeve, apo edhe për Botërorin e vitit 2026. /tvklan.al