Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për Erzen Breçanin dhe 10 të akuzuarit e tjerë dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Mes tyre është dhe ish shefi i krimeve i komisariatit numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni.
SPAK thotë në njoftim se ky grup kriminal është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Këtij grupi iu sekuestruan në janar të vitit 2021 446 kg kokainë në Holandë, ngarkesë që vinte nga Amerika e Jugut.
Porositësit dhe financuesit e kësaj ngarkese sipas SPAK janë: Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Eralbi Breçani dhe Besmir Murati. Ergys Dashi siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.
SPAK thotë se ish-shefi i policisë Dedan Gjoni del në pah si bashkëpunëtor, porositës dhe financues në sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar, kurse i pandehuri Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit. Gjithashtu Prokuroria e Posaçme thotë se ky grup trafikoi nga Spanja për në qytetin gjerman Ervitë 166 kg marijuanë.
Paratë e fituara nga trafiku i drogës i pastronin përmes investimeve legjitime, si shoqëri hidrocentralesh por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
I pandehuri Ismail Zeneli në bashkëpunim me të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe të pandehurin Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e tre shtetasve për të kryer një vrasje ndaj tyre.
SPAK e akuzon Erzen Breçanin se ka administruar dhe ka qarkulluar të ardhurat e përftuara nga Eralbi Breçani, djali i tij, i përfshirë në trafikun e drogës. Mbi Erzen Breçanin rëndon dhe akuza e përkrahjes së autorit të krimit. Ai ka ndihmuar së bashku me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn Nuredin Dumani ti shmanget drejtësisë pasi ishte në kërkim.
Prokuroria e Posaçme ka ndarë çështjen ndaj Ervin Matës dhe personave të tjerë, për të cilët ka urdhër-arrest.
Klan News