Trajneri i Lyonit, Paulo Fonseca është pezulluar për nëntë muaj nga Liga Profesioniste Franceze e Futbollit, pas një konfrontimi me gjyqtarin Benoit Millot gjatë fitores së fundit 2-1 të ekipit të tij në Ligue 1 ndaj Brest.

Liga Profesioniste informoi se Fonseca do të ndalohet të qëndrojë në pankinë, dhomat e zhveshjes gjatë takimeve zyrtare dhe të marrë pjesë në çdo funksion zyrtar para, gjatë ose pas ndeshjeve deri më 30 Nëntor.

Fonseca-s iu dha një karton i kuq për sjelljen e tij kërcënuese, pas një rishikimi të një rasti të një penalltie të mundshme për Brest-in, që nuk iu konfirmua. Tekniku portugez kërkoi më pas falje për sjelljen e tij agresive, për të cilën ndërhynë lojtarët e ekipit, në mënyrë që situata të qetësohej.

Sindikata e gjyqtarëve francezë ka reaguar për incidentet e fundit në fushë. Pas një rasti në javën e kaluar, institucioni tha se anëtarët e tij do të ushtrojnë të drejtën për të dhënë dorëheqjen nëse ata ose familjet e tyre ishin në rrezik, pasi një zyrtar i ndeshjes u përball me një sulm urrejtjeje pas komenteve të bëra nga presidenti i Marsejës, Pablo Longoria.

Klan News