Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë e Partisë Socialiste në Tiranë, ku u ndal tek procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë u shpreh se një mbështetje masive për Partinë Socialiste më 11 Maj është një mbështetje për të mos e humbur trenin e historisë.
“Janë volume të tëra pune që nuk mundet dot të bëhen nëse nuk shfrytëzohet çdo ditë. Kështu që çdo parafytyrim i një lëkundjeje është katastrofik për vendin tonë. Dhe një mbështetje masive për PS-në, për qeverinë tonë në këto zgjedhje është në fakt më shumë se sa një mbështetje për ne, është një mbështetje masive për të mos e humbur trenin e historisë dhe për të arritur në stacion. Që ne të hymë në BE duhet të mbyllim negociatat. Nëse ne mbyllim negociatat ne kemi kryer punë. Pastaj është koha e ratifikimit nëpër parlamentet e tjera, por kjo është një çështje tjetër. Nuk është më një problem që mund të merret dhe kthehet në një instrument për lloj-lloj axhendash të lloj-lloj lojtarëve që janë jashtë vullnetit tonë”, tha Rama.
Rama theksoi para të rinjve se Shqipërisë i duhet lidership dhe stabilitet i plotë në marrëdhënien me BE. Sipas tij, aktualisht këtë e jep vetëm Partia Socialiste. Madje ai mendon se deri sa Tirana zyrtare të bëhet anëtare në BE, “ka shumë rëndësi kush qeveris në Shqipëri”. Prandaj sipas tij, “çdo lloj tangoje me Kujtim Gjuzin”, duke ironizuar koalicionin e PD-së në zgjedhje, do krijonte lëkundje.
“Pse është i rëndësishëm BE? Nuk e kam menduar që do vinte momenti që do duhej të thosha dhe këtë, por sot në çfarë po shohim dhe me çfarë po ndodh BE është i rëndësishëm edhe për ekzistencën, për sigurinë. Gjithë përpjekja që po bën sot BE dhe që unë jam i bindur më herët se vonë duhet të jetë përpjekje e të gjithë kontinentit tonë, flas për të gjitha vendet demokratike që do mblidhen në Tiranë më 16 Maj është një qasje komplet e re ndaj sigurisë, ndaj mbrojtjes dhe ndaj sensit të përbashkët të sigurisë. Kjo është diçka e re, por është diçka urgjente e kohës dhe këtu na duhet lidership, na duhet qëndrueshmëri, na duhet stabilitet i plotë në këtë marrëdhënie. Na duhen të gjitha ato që ne i kemi ndërtuar me kaq mund dhe durim në këto vite. Nuk ka ardhur akoma koha që raporti ynë me BE të jetë i pavarur se kush qeveris në Shqipëri. Ajo kohë vjen në momentin kur bëhemi anëtarë. Për sa kohë ne nuk jemi anëtarë ka shumë rëndësi kush qeveris në Shqipëri. Dhe është bërë një investim shumë i madh në këto vite që ne të kemi këtë partneritet, të kemi këtë respekt reciprok dhe të kemi këtë besim te Shqipëria. Çdo lloj lëkundje dhe çdo lloj tangoje me Kujtim Gjuzin do krijonte një lëkundje të përgjithshme. Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur në atë buqetë. Lulja më e bukur, ma besoni. Është ku ma gjen”, tha Rama.
Para të rinjve, Rama u shpreh se integrimi në BE është shumë i rëndësishëm edhe sepse i jep vendit një fuqi të re financiare.
“Krahas buxhetit që ne kemi, kemi dhe një buxhet ekstra për të gjitha gjërat që kemi ende shumë nevojë. Edhe për rininë, edhe për universitetet, edhe për garancinë rinore BE është një game changer i jashtëzakonshëm”, tha Rama./tvklan.al