Vendi ynë do të ketë 10 zona kadastrale ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore. Sipas ministres Anila Denaj, këto zona janë përcaktuar në bazë të studimeve të kryera me ekspertët.
“Janë 10 zona kadastrale që janë përcaktuar në bazë të një studimi që ne e kemi realizuar përpara disa viteve dhe këto zona janë të mirë përcaktuara në kuadrin e zonave katasdrale, dhe njëkohësisht në gjithë bashkërendimin e veprimeve, së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, besoj që të gjithë udhëzuesit që vijojnë të aprovohen do ta përcaktojnë më së miri se si do vijojë ky proces”, tha Anila Denaj.
Denaj renditi edhe disa nga zonat që janë të përjashtuara nga kultivimi i kanabisit mjekësor, por dhe kriteret strikte që duhen zbatuar.
“Janë të përjashtuara të gjitha zonat me intensitet të lartë bujqësor, le të themi Myzeqeja dhe zona e Korçës nuk mundet të orientohet në një sektor tjetër kur ato janë zona bujqësore, janë një distancë të konsiderueshme dhe të përcaktuara në ligj nga shkollat, vendet e banuara, dhe duke i bërë referencë edhe ligjet e blegtarisë edhe me një distancë të markuar gati 3 kilometra nga çdo aktivitet ku bletaria sot zhvillohet”, tha Denaj.
Gjithashtu në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi edhe skemën e subvencioneve për fermerët dhe blegtorët.
Klan News