Prokuroria e Posaçme po heton mbi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe familjarët e tij për dyshimet se mund të jenë përfshirë në korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Me anë të një njoftimi zyrtar, shpërndarë për mediat, SPAK thotë se procedimi numër 27/2024, është regjistruar në datën 8 Shkurt fillimisht për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.
Procedimi është regjistruar pas verifikimit të një kallëzimi të bërë sipas SPAK nga një qytetar i vetëidentifikuar si shtetasi N.A.
“Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë ose të zgjedhurve vendor”, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal”.
Nga Shkurti deri më tani, Prokuroria e Posaçme thotë se ka dyshime edhe për 3 akuza të tjera që rezultojnë të jenë konsumuar, duke i shtuar në procedimin e regjistruar.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”.
Të enjten, kryebashkiaku Erion Veliaj u pyet për mbi 5 orë nga hetuesit e posaçmë, 3 ditë pasi në godinën e SPAK ishte pyetur edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.
Në një deklaratë të bërë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ai tha se ishte denoncuar nga një njeri që nuk ekzistonte dhe se i është përgjigjur drejtësisë edhe pse ishte vënë në lëvizje nga denoncime anonime.
Në 6 Dhjetor, pas një vendimi të marrë në gjykatë, SPAK vuri në lëvizje Byronë Kombëtare të Hetimit që kreu kontroll personal të Ajola Xoxës, ku i sekuestroi telefonin.
Kontrolle u ushtruan në ambientet e një qendre që drejtohet nga bashkëshortja e Veliajt dhe banesa e ambiente në pronësi të vëllait të tij, Arbër Veliaj.
Tv Klan